Arrestimi i drejtorit të burgut të Peqinit nuk është një ngjarje e izoluar. Nuk është as një gabim individual që mund të mbyllet me një deklaratë zyrtare. Është një provë e qartë se problemi nuk qëndron tek individët që bien, por tek sistemi që i ngre.
Një pyetje e thjeshtë por që mund ta bëjë kushdo: si arrin një person që, më së paku, jo për aftësitë profesionale, por sepse nuk ofron as garancitë më minimale të besueshmërisë, të drejtojë një institucion të sigurisë së lartë?
Ky nuk është rasti i parë. Janë arrestuar drejtues burgjesh, drejtues policie, drejtues institucioni qendror, drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejtues të AKSH-it, drejtorë hipotekash, sekretarë të përgjithshëm ministrish, deputetë, kryetarë bashkish, ministra — madje edhe në nivelet më të larta të qeverisjes.
Pra, nuk kemi të bëjmë me një devijim. Kemi të bëjmë me një model. Kur ky model përsëritet në kaq shumë nivele, problemi nuk është më individi. Është sistemi që prodhon dhe riciklon të njëjtin tip zyrtari.
Por lind një pyetje edhe më shqetësuese, që zakonisht shmanget:
Si është e mundur që gjithmonë arrestohet i emëruari, por kurrë nuk mbajnë përgjegjësi ata që e emërojnë?
Kush përgjigjet për emërimet e dështuara?
Kush merr përgjegjësi për filtrat që dështuan?
Kush jep llogari për besimin publik të shpërdoruar?
Në çdo rast, skenari është i njëjtë: shpërthen skandali, individi hiqet, arrestohet, dënohet, dhe cikli mbyllet aty. Asnjë përgjegjësi politike. Asnjë përgjegjësi administrative. Asnjë reflektim real mbi vendimmarrjen që e çoi atë individ në atë post.
Kjo nuk është rastësi. Është mënyra se si funksionon sistemi.
Një sistem që nuk ndëshkon kurrë ata që emërojnë gabim, i inkurajon ata të vazhdojnë të bëjnë të njejtën gjë.
Një sistem që nuk kërkon llogari për vendimmarrjen, kthen emërimin në akt arbitrar, jo në përgjegjësi publike. Dhe ndodh pastaj që ministri merr pas vetes në çdo ministri ku emërohet ministër drejtorët që ka emëruar më parë në ministrinë ku ishte, por që kur këta drejtorë shëtitës pas ministrit përfundojnë para drejtësisë, ministri nuk mban asnjë përgjegjësi.
Kështu krijohet një mekanizëm i rrezikshëm: individët bien, por modeli mbetet i paprekur.
Në një shtet funksional dhe të së drejtës, përgjegjësia nuk është vetëm individuale; është hierarkike. Nuk mjafton të ndëshkohet ai që kapet në shkelje. Duhet të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi edhe ai që e promovoi, ai që e garantoi, ai që e rekomandoi, ai që e emëroi.
Pa këtë hallkë, çdo reformë është e cunguar.
Pa këtë hallkë, ndëshkimi i vetëm i njërit fajtor, si rasti konkret i drejtorit të arrestuar së fundi, është i pamjaftueshëm.
Pa këtë hallkë, sistemi nuk pastrohet; ai vetëm riciklon të korruptuarit, shkelësit e ligjit, dhe pjesëtarët e grupeve kriminale.
Problemi nuk është se si një drejtor apo deputet bëhet kriminel.
Problemi është se si një sistem i tërë nuk arrin ta parandalojë, madje e promovon dhe emëron një individ të tillë drejtor, kryetar bashkie, deputet apo ministër.
Një drejtor më pak. Një provë më shumë se sistemi është i kriminalizuar.
Burimi: botasot.info


