Një delegacion i lartë nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada gjermane dhe KfW, zhvilluan sot një vizitë në lokacionin e parkut solar të projektit strategjik “Solar4Kosovo I – Photovoltaics (100 MW)”.
Drejtori ekzekutiv i Divizionit për Energji të Ripërtërirë në KEK Erdoan Zasella, njoftoi delegacionin me operimet, sfidat dhe objektivat strategjike të KEK-ut, me theks të veçantë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe zhvillimin e parkut solar, një ndër projektet më të mëdha të energjisë së ripërtërirë në Kosovë.
Vizita u kryesua nga Micong Klimes, e sapoemëruar zyrtare përgjegjëse për Kosovën në BMZ, e cila përfshiu këtë projekt në itinerarin e saj të parë zyrtar në vend. Prania e saj dhe e partnerëve gjermanë nënvizon nivelin e lartë të mbështetjes politike, financiare dhe teknike që i jepet këtij projekti, raporton kp.
Projekti Solar4Kosovo I Photovoltaics (100 MW), i financuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria gjermane përmes KfW dhe bashkëfinancuar nga Banka Evropiane e Investimeve ka hyrë në fazën e parë të tenderimit – procesin e përzgjedhjes fillestare për dizajnimin, furnizimin dhe instalimin e impiantit.
KEK nxit fuqishëm të gjitha kompanitë e kualifikuara, vendore dhe ndërkombëtare që plotësojnë kriteret të aplikojnë në këtë proces të rëndësishëm, i cili do të zhvillohet me konkurrencë të lartë, transparencë të plotë dhe cilësi të garantuar sipas standardeve evropiane.
“Solar4Kosovo I – Photovoltaics (100 MW)” është projekti më i madh solar i realizuar në Kosovë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të energjive të ripërtërirë, shfrytëzimit të zonave të rehabilituara të deponive të hirit dhe forcimit të sigurisë energjetike të vendit.
Informacionet dhe dokumentacioni i procesit të parakualifikimit janë të publikuara në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale të KEK, thuhet në komunikatë.
Burimi: botasot.info


