nga viti i bllokades te shumica absolute mandati i kurtit sfidon opoziten 695cbd1f1a841

Nga viti i bllokadës te shumica absolute: Mandati i Kurtit sfidon opozitën

January 6, 2026
min lexim

Viti 2025 u mbyll me një krizë të thellë politike dhe institucionale në Kosovë.

Që nga muaji shkurt, vendi mbeti pa institucione funksionale, pasi partitë politike dështuan të arrinin marrëveshje për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re. Kjo bllokadë e zgjatur paralizoi proceset vendimmarrëse, la pezull një sërë ligjesh dhe marrëveshjesh të rëndësishme, si dhe rriti pakënaqësinë e qytetarëve ndaj skenës politike.

Në fillim të vitit 2026, vëmendja është e përqendruar tek zhvillimet e reja politike pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku partia fituese, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje arriti të sigurojë 50 për qind të votave.

Ky rezultat krijon pritshmëri për një shumicë më stabile dhe për një proces më të shpejtë të formimit të institucioneve, megjithëse ende mbetet e paqartë nëse do të nevojiten koalicione dhe çfarë forme do të marrin ato.

Rrjedhimisht, këto rezultate japin sinjal se viti 2026 do të jetë vendimtar për stabilitetin politik të Kosovës.

Pyetja kryesore mbetet nëse Kuvendi do të arrijë të funksionojë normalisht dhe nëse Qeveria e re do të ketë kapacitetin për të shtyrë përpara reformat dhe vendimet që mbetën të bllokuara gjatë vitit 2025.

Po ashtu, në fokus janë marrëveshjet ndërkombëtare, proceset integruese dhe çështjet e brendshme që kërkojnë urgjentisht zgjidhje.

Bukuroca: Fitorja ndaj opozitës dihej

Sipas publicistit Lis Bukuroca, Kosovën e pret stabiliteti dhe normaliteti, pasi vlerëson se fitorja e LVV-së me 50 për qind të votave është e mjaftueshme për ta tejkaluar ngërçin dhe për të formuar institucionet.

“Përfundimisht, na pret normaliteti dhe stabiliteti, si dhe realizimi i disa projekteve që ngrenë shtyllat kryesore të shtetit, si reforma në Këshillin Prokurorial dhe Byroja për Sekuestrimin e Pasurive të fituara nga korrupsioni apo keqpërdorimet e tjera. Pa prokurori dhe gjykata funksionale, nuk mund të ketë shtet ligjor të suksesshëm në shërbim të shoqërisë, por vetëm defaktorizim të shtetit dhe shërbim një grupi.

Meqenëse koalicioni i kryeministrit Kurti fitoi mbi 50 për qind, gjendja do të normalizohet. Opozita me barrikadimin dhe dëmtimin e shtetit, shpresoi se do të shpërblehej nga Perëndimi. Prandaj ata ofruan vetëm urrejtje dhe poshtërim të kryeministrit.  Ajo nuk ishte alternativë serioze dhe, duke u mbështetur edhe nga media që luftojnte për interesa të veta, fundosën dy parti, ndërsa e treta do të shuhet në zgjedhjet e ardhshme”.

Image

Lis Bukuroca

Krahas kësaj, Bukuroca në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se kjo fitore e Kurtit, nuk ishte vetëm kundër opozitës, por edhe disa mediave që dolën hapur kundër LVV-së.

“Fitorja ndaj opozitës dihej, tani u fitua edhe ndaj Kartelit Mediatik të organizuar.

Liderët e opozitës vepronin si disa “gazetarë” që e konsiderojnë veten me dije universale dhe që janë të bindur se e dinë të kaluarën dhe e njohin të ardhmen, por problemi i madh i tyre, ishte se nuk i njihnin të tashmen. Ata, së bashku, u besonin paragjykimeve dhe urrejtjeve të veta, por nga lartësia ku gjendeshin, e bazuar në pasuri e jo në dije, shpërfillnin popullin, të cilin, me kritika të padrejta ndaj Kurtit dhe sajesa serike kundër tij, e vetëdijësuan, e ndriçuan dhe rezultati dihet.

Si mediat, ashtu edhe opozita, merreshin me polemika, jo me ndërtimin e shtetit, por me dobësimin e tij. Shteti nuk u duhet si faktor real, por si dekor”, shtjelloi ai.

Gjithashtu, publicisti foli edhe për atë se a do kemi stabilitet politikë dhe a do shtyhen para vendimet dhe marrëveshjet që mbetën peng në vitin 2025.

Në këtë pikë, potencoi se liderët e opozitës duhet të kenë marrë mësim nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe nuk do i bllokojnë proceset, në të kundërtën do e pësojnë edhe më keq.

Për këtë gjë, ai përmendi disa shembuj që ndodhën nga e kaluara.

“Po! Do të kemi. Liderët e rinj të opozitës do të jenë më konstruktivë dhe do të mendojnë më shumë për shtetin sesa për pushtetin e tyre. Nëse nuk kanë mësuar nga këto zgjedhje, atëherë gradualisht do të largohen nga skena politike. Pse? Sepse partitë tona kanë atribute demokratike, por demokracia pezullohet nga kryetari.

Ja disa shembuj tradicionalë: Isa Mustafa e rrënoi LDK-në dhe iu lejua të vendosë se kush do të jetë pasues. Nuk u pyet anëtarësia, por dështaku. Pa konkurrencë demokratike të brendshme.

Pse ndodh kjo? Sepse pasuesi e ka për detyrë të ruajë shpinën e paraardhësit. Mustafës nuk i interesonte më partia, por mbulimi i gjurmëve nga e kaluara e vet dhe shmangia e hetimeve eventuale. Këtë duhej ta garantonte Abdixhiku.

Shembulli tjetër nga demokracia e nëpërkëmbur, e prishur nga lideri i partisë: Thaçi e vendosi Veselin, jo partia, pa garë. Veseli, duke shpresuar se do të kthehej shpejt, zgjodhi një ish-këngëtar, pa profil të vetin dhe pa asnjë kontribut të rëndësishëm, sepse kur liderët autokratë me mendësi komuniste zgjedhin pasuesit, nuk marrin më të aftët se vetvetja, por atë që di më pak se ai dhe premton se është i përdorshëm. Vegël.

Fatkeqësisht Veseli nuk u kthye dhe ai, duke i shërbyer një pronari, nuk mund të bëhej kurrë më i mirë se Veseli apo Thaçi. Këngëtari u tërhoq dhe vendosi kandidatin vetë, Hamzën. Këto janë metoda tipike komuniste. Anëtarësia është aty turmë e paide dhe pa dëshira. Ajo u nevojitet vetë për vota.

E njëjta gjë ndodhi edhe me shërbëtorin e Mustafës. As ai nuk pati kurrë guxim të dalë nga çadra e patriarkut që e kidnapoi partinë e Rugovës dhe e dëmtoi atë si askush më parë. Për fat të keq, kjo iu lejua”, shpjegoi Bukuroca.

Krahas kësaj, ai pret të ketë reforma dhe ndryshime pozitive në aspektin e drejtësisë.

Ai përmendi edhe ndihmat e mërgimtarëve të cilat u keqpërdorën dhe ta se është i nevojshëm një hetim për fondin “Vendlindja thërret”.

“Shkurt e shqip, stabilitetin e imponon vota dhe, natyrisht, sharjet dhe paragjykimet nuk do të pushojnë, sepse pritet të goditen dhe të thirren në përgjegjësi mijëra veteranë të rrejshëm që e vjedhin shtetin muaj për muaj. Janë rreth 250 kallëzime penale, nga 11 ministri, asnjëri i shqyrtuar, si dhe zbardhja e origjinës së disa investimeve nëpër media, për të cilat origjina nuk dihet.

Mbani mend: Prokuroria e Kosovës sot ka guxim të shpërfill 250 kallëzime të 11 ministrive! Mu aty nis sabotimi i shtetit. Dhe, ata paguhen nga populli.

Një prokurori funksionale do të duhej të hetonte trepërqindshin që mërgata paguante, dokumentacionin e bankës gjermane, zhvendosjen në Shqipëri, si dhe dokumentacionin dhe zbardhjen e atij fondi. Kujdestari i atij fondi ishte ekonomist dhe e di mirë se është i obliguar të ruajë dokumentacionin. e hyrje-daljeve.

Mërgimtarët nuk kanë dashur të financojnë individë, por mbijetesën e arsimit në Kosovë dhe veprimtarinë diplomatike të Ibrahim Rugovës.

Hetime të njëjta duhet të bëhen edhe për fondin “Vendlindja Thërret”, sepse as në këtë fond mërgata nuk pagoi për të pasuruar dikë, por për të çliruar Kosovën.

Mërgata ka të drejtë të dijë dhe dëshiron të mësojë se ku përfunduan kontributet e saj”.

Në fund, ai potencoi se beson se do realizohen premtimet kryesore nga ana e LVV-së, derisa tha se opozita duhet të “mbushet mend”.

Ai vlerësoi figurat e Kurtit e Osmanit dhe qasjen e tyre politike.

“Sidoqoftë, mendimi im është ky: katër vitet e ardhshme do të realizohen premtimet kryesore dhe do të zgjidhen shumë probleme. Opozita do të mbushet mend, por mediat që ndihen të rrezikuara, si dhe oligarkët, do të nervozohen edhe më shumë.

Edhe veteranët e rrejshëm. Pse? Sepse ata nuk duan shtet ligjor, por një shtet nga i cili mund të shërbehen dhe të pasurohen. Ata shtetin juridik e përjetojnë si pezullim dhe kufizim të lirisë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë fati ynë. Ata të dy mund ta bëjnë shtetin ligjor ashtu siç njihet në Perëndim dhe nuk besoj se opozita do të ketë guxim të mos e votojë presidenten, për të cilën ka respekt edhe Trumpi.

Shteti ligjor po vjen, ka ardhur koha kur kungulli fundoset, sepse notoi mbi 20 vjet. Kemi hyrë në një epokë të shtetndërtimit përfundimtar”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Preqi: Kosova dhe qeveria e saj për vitin 2026, e ka agjendën e stërmbushur me plot projekte kapitale

Image

Dedë Preqi.

Kurse, në lidhje me bllokadën politike të vititi 2025 dhe atë se çka e pret Kosovën në aspektin e formimit të institucioneve të reja në vitin 2026, për “Bota sot” foli  edhe opinionisti Dedë Preqi.

Fillimisht, ai tha se viti që kemi lënë pas, ka qendë një nga vitet më të “përbaltura” që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Sipas tij, e gjithë bllokada institucionale ishte e qëllimshme dhe synonin njerëz të etur për pushtet në pozicionoheshin në krye të shtetit.

“Viti 2025, do të ishte viti më i përbaltuar ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, që nga paslufta e deri më tani, mirëpo këtë lloj sprove nuk e morëm papritur nga befasia njerëzore, por nga pakujdesia dhe mungesa e përgjegjësisë së lidershipit politik, duke i shkaktuar vetëvetes bllokadë institucionale me qëllim pengimi të formimit të institucioneve të vendit.

Edhe paslufta i prodhon ato pasojat e veta, që i ngadalësojnë proceset të shkojnë përpara dhe prekin edhe thelbin e kësaj kohe, por nuk do harrohen aq lehtë disa periudha të vështira dhe problematike në Kosovë, me përshtypjen se njeriu i etur për pushtet do pozicionohet edhe përballë qenies së vet, për ta kthyer dikur pushtetin si pronë të vetën.

Në asnjë vend në botë nuk ka një pushtet të « mirëfilltë » por sëcili qytetar i atij vendi përfiton domethënien e atij pushteti, në veçanti kur vendimet e atij pushteti ushtrohen me ligj dhe rend kushtetues, me mundësinë e një diçkaje të mirë dhe pozitive, të cilën e sheh dhe e prek me dorë”.

Sipas Preqit, shkaktar kryesor të bllokadës ishin partitë opozitare me Listën Serbe, të cilat me veprimet e tyre paralizuan Kosovën.

Mirëpo, ai tha se pas kësaj qytetari i ndëshkoi me votë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Sa rëndë e përjetoi Kosova, vitin 2025 me mungesën e institucioneve të vendit, që prej 9 shkurtit dhe deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja të 28 dhjetorit, pa ndonjë zgjidhje për të formuar institucionet e reja përshkak të bllokadava, që i shkaktoi opozita PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe, duke refuzuar bashkëpunimin dhe shumë marrëveshje ndërkombëtare dhe mos votimin e buxhetit të shtetit.

Ngërçi politik ka mundur Kosovën, ta paralizojë po të mos vepronte qeveria në detyrë në krye me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij, sikur me mandat të plotë, duke i kryer shumë detyra dhe obligime qytetare dhe shtetërore deri në ditët në vijim.

Prandaj, zgjedhjet e 28 dhjetorit erdhën falë moskordinimit të opozitës në fjalë, e cila nuk pranoi të bashkëpunojë me LVV, si parti fituese e zgjedhjeve të kaluara, për ta formuar qeverinë e re, duke bërë 57 tentime për t’u konstituuar Kuvendi, dy mandatime të dështuara për kryeministër, deri te bllokimi i plotë institucional”, shtjelloi ai.

Në vazhdim, opinionisti mbështeti veprimet e presidentes Osmani gjatë kohës së ngërçit politik, ku tha se më vendim të drejt shpërbëri Kuvendin dhe caktoi zgjedhjet e reja.

Ai konsideroi se rrethanat në të cilat ishte Kosova, ndikoi që Kurti me partinë e tij të fitojnë bindshëm me 28 dhjetor.

“Ishte e qartë se veprimet e opozitës kalonin thjeshtë përmes një hallke zingjirore të opozitës, kur domethënia e gjithë kësaj zhvishet nga dinjiteti dhe përgjegjësia që i takon, dhe deshtëm apo nuk deshtëm edhe pas shumë debatesh dhe këshillave presidentja e vendit do duhej ta shpërndante Kuvendin dhe të caktoj zgjedhjet e reja, duke vepruar në bazë të ligjit, por dhe si zgjidhje për të dalë nga ky ngërç politik.

Edhe pse kishte dilema se gjatë këtyre zgjedhjeve mund të kishte ndodhur një gjë e pa pritur dhe e pa dëshiruar, që pas gjithë asaj katrahure të ndodhur brenda një viti pa institucione, kësaj here populli mund të mos ketë patur vullnet për të shprehur qëndrimet e veta, nga lodhja e tyre me lojrat e lidershipit dhe deputetëve të Kuvendit.

Edhe në këto rrethana dhe si gjithëherë populli i Kosovës, së bashku me diasporën e tregoi jo vetëm vullnetin e vet të pa mohueshëm, por e tregoi edhe kulturën e vet qytetare në zgjedhje, duke nxjerrë bindshëm LVV, si fituese edhe më të fuqishme se në zgjedhjet e parafundit, në krye me Albin Kurtin, duke siguruar mbi 50 përqind të votave me 57 ulëse në Kuvend”.

Krahas kësaj, ai foli edhe për sfidat që kishte Kurti me partitë opozitare të cilat nuk e mbështetën, madje edhe e akuzuan për shumë gjëra, të cilat sipas tij nuk qëndronin.

Në këtë pikë, përmendi edhe refuzimet që ia bënë për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Albin Kurti si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, në këto zgjedhje përveç se kishte një opozitë kundërshtare politike, kishte edhe një opozitë mosbashkëpunuese katër vite e më shumë, duke kaluar edhe situata të pa këndshme me lloj-lloj akuzash dhe shpifjeve edhe të pa qena, të cilat do nxiteshin vetëm përçarje ndërpartiake.

Poa shtu ndodh edhe kur kësaj opozite nuk i intereson të marrë asnjë lloj përgjegjësie, madje edhe kur gjërat në këtë vend marrin kahe të ç’rregulluar, siç ishte gjendja në veri të vendit me komunat që përfaqësojnë shumicën e pakicës serbe, të cilat pretendohej të punojnë sipas urdhërave të Beogradit.

Thënë ndryshe, qeveria Kurti, deri më tani nuk kishte asnjë mbështetje opozitare edhe atëherë kur do duhej plotësuar koroumin për të shfrytëzuar ndihmat dhe financat ndërkombëtare, që Kosovës dhe popullit të saj do t’i kushtonte shumë një kryeneçësi e tillë dhe mos serioziteti”, nënvizoi opinionisti.

Më tej, Preqi foli për sfidat që e presin Kosovën gjatë vitit 2026, e që sipas tij nuk janë të pakta.

Megjithatë, sa i përket formimit të institucioneve, nuk sheh ndonjë problem dhe pret që ato të formohen shpejt.

“Qeveria e re e Kosovës, këtë herë do ta ketë një peshë më të rëndë sa i përket Marrëveshjeve me Serbinë, edhe pse në vitin 2023, e kishte nënshkruar një Marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve, që parasheh edhe njohje reciproke, por për deri sa në krye të Serbisë, qëndron një kriminel lufte nuk mund të realizohet pothuaj asgjë, sepse është vështirë të bëhët pazar me një të tillë, i cili akuzohet për vepra të rënda kriminale, si një shnaiperist dhe vrasës i fëmijëve gjatë luftës së fundit në Sarajevë.

Prandaj, viti 2026, është viti i sfidave të mëdha që e presin vendin tonë, por Kosova pas përfundimit të rezulltatit zgjedhor, së shpejti do ta formojë qeverinë e re dhe institucionet e vendit, që nënkupton se Kosova, nuk ka kohë për të humbur, duke i shtyer proceset dhe shumë vendime përpara, dhe ato projekte dhe marrëveshje, që kanë mbetur peng nga viti i kaluar.

Dhe tani nuk e kemi luksin të bëjmë fjalë dhe qortime, fyerje apo sharje ndaj njëri-tjetrit, të cilat nuk do duhej shumë të komentohen dhe të na marrin kohën, por si prioritet të kemi një harmoni të lakmueshme në mes pozitës dhe opozitës, si dhe respektimin e rendit dhe ligjit si qytetar të ndershëm dhe me integritet, poa shtu duke i pranuar dhe respektuar udhëheqësit e vendit pa ua heq kokat, sepse vetë populli ua ka dhënë votën dhe besimin”, theksoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti shtoi se, janë disa fusha që qeveria e re, duhet të fokusohet dhe madje të punojë fortë dhe të bëj reformat e duhur.

Për këtë, nuk harroi edhe rëndëinë e synimet për anëtarësim në NATO dhe në organizatat ndërkombëtare.

“Kosova dhe qeveria e saj për vitin 2026, e ka agjendën e stërmbushur me plot projekte kapitale, por në rend të parë duhet të sjellë institucione të reja dhe funksionale dhe të realizojë progres në zhvillimin ekonomik dhe politik, duke luftuar kundër korrupsionit, dyfishimin e angazhimit në arsim, në shëndetësi, mbrojtjen e mjedisit, në energji dhe shumë reforma tjera në përmirësimin e mirëqenies së vet qytetare.

Sa më shumë që Kosova, do angazhohet dhe përpjekjet e saj do jenë më aktive në normalizimin e marrëveshjeve me Serbinë, poashtu edhe duke i mbrojt interesat dhe të drejtat e minoriteteve të vendit, aq do jetë edhe afrimi me BE-në, si një partneritet i besueshëm, që do ta mbante afër vetës dhe një ditë nuk është ndoshta shumë larg të bëhet edhe anëtare e kësaj familje evropiane, si edhe anëtare e NATO-s”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

grok nen kritika per gjenerimin e deepfake ve seksualisht eksplicite te grave dhe te miturve 695cbceee15d3
Lajmi i mëparshëm

Grok nën kritika për gjenerimin e deepfake-ve seksualisht eksplicite të grave dhe të miturve

udheheqesja e opozites venezueliane 3 janari do te hyje ne histori si dita kur drejtesia mposhti tiranine nobel per trump in 695cbd33e4722
Lajmi i radhës

Udhëheqësja e opozitës venezueliane: 3 janari do të hyjë në histori si dita kur drejtësia mposhti tiraninë! Nobel për Trump-in

Të fundit nga

ShkoLartë