nga lotet e hezitimit te krenaria e madhe prinderit perjetojne diplomimin e policeve te rinj 68711414b5b1d

​Nga lotët e hezitimit te krenaria e madhe, prindërit përjetojnë diplomimin e policëve të rinj

July 11, 2025
min lexim

Ne jemi gjeneratë e re, nuk kemi mundur më herët të kontribojmë, tash është mundësia jonë. Kështu shprehet një nga kadetët e gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës që diplomuan sot. Shumë prej tyre u shprehën të lumtur dhe krenarë për arritjen e tyre, duke thënë se kjo ishte një ëndërr e kahershme për ata.

Disa treguan se ishin frymëzuar nga prindërit ose të afërmit që kanë qenë pjesë e Policisë dhe që i kanë parë përherë me respekt në uniformë. Ndërkohë, familjarët nuk i fshehën emocionet, porse pohuan se fillimisht kishin dyshime dhe hezitime që fëmijët e tyre të ndiqnin këtë rrugë, por sot ndihen krenarë për zgjedhjen e tyre.

Ilir Pajaziti ndër 279 kadetët e diplomuar, e përshkruan si të vështirë dhe të lodhshme fazën e trajnimit, pasi siç tha ai prej jetës civile kalon në atë zyrtare.

Pajaziti thotë se si gjeneratë e re, nuk kanë mundur të kontribuojnë për shtetin më herët, porse tani është mundësia e tyre.

Pajaziti: S’kemi mundur më herët të kontribojmë, tash është mundësia jonë

Për mua është nder dhe krenari që jam pjesë e Policisë së Kosovës. Ka qenë ëndërr e kahmotshme për të qenë pjesë e policisë…Do të mundohemi me qenë sa më profesional, në bazë të ligjit të punojmë. Me qenë të drejtë për të gjithë. Sa ka qenë e vështirë kjo periudha testuese për juve? Ka qenë edhe e vështirë, ka qenë edhe e lodhshme mjaftueshëm, për shkak se prej një jete civile kemi kaluar në një jetë zyrtare. Me punë e përkushtim, falë instruktorëve dhe të gjithë të tjerëve, familjes që na ka mbështetur moralisht ia kemi arritur…Më së shumti që më pëlqen është t’i shërbejë atdheut, përgjegjësi e popullit tim. Ne jemi gjeneratë e re, nuk kemi mundur më herët të kontribojmë, tash është mundësia jonë”, tha Pajaziti.

Ndërsa, Arianit Xhemaili tregon se frymëzimi për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës i ka ardhur nga prindërit e tij, të cilët gjithashtu janë pjesëtarë të këtij institucioni.

Për të, ndjekja e gjurmëve të tyre ka qenë një shtysë dhe një dëshirë për të vazhduar traditën familjare në shërbim të atdheut.

Xhemaili: Ka qenë ëndërr e imja për t’u bashkuar policisë

Po ndihem shumë mirë. Është emocion i papërshkrueshëm për shkak se e kemi pritur me shumë kënaqësi të madhe këtë ditë. Po mundohemi ta përjetojmë ashtu siç është më së miri. Pse ke vendosur të jesh pjesë e Policisë së Kosovës? Ka qenë ëndërr e imja për t’u bashkuar policisë. Përndryshe, edhe dy prindërit i kam pjesë të policisë. Kanë qenë një pjesë shtyse, për shkak se duke i parë ata çdo ditë me uniformë, jam frymëzuar prej tyre“, thotë Xhemaili.

Edhe kadeti Labinot Pira e vlerëson si ndjenjë të papërshkrueshme momentin e diplomimit për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës

Pira: Ndjenjë e papërshkrueshme t’i shërbesh vendit dhe popullit

“Shumë mirë, ndjenjë e papërshkrueshme. T’i shërbesh vendit dhe popullit është krenari shumë e madhe. Qysh fëmijë kam pasur dëshirë të jem polic, t’i shërbejë vendit. Si ka qenë faza testuese? Mirëpo, ka qenë pak e vështirë por me punë u arrit gjithçka. A të ka munguar familja kur ke qenë në trajnim. Po, më shumë vajza“, tha Pira.

Përkundër emocioneve dhe krenarisë që fëmijët e tyre sot u bënë pjesë e Policisë së Kosovës, disa prindër nuk e kishin përkrahur fillimisht këtë vendim.

Shefkije Mehmeti tregon se fillimisht kishte hezituar që djali i saj të ndiqte këtë rrugë, duke besuar se brezat e rinj janë më të vrullshëm dhe ndonjëherë më impulsivë.

Megjithatë, sot ajo është e bindur se djali i saj ka marrë edukatën dhe përgatitjen e duhur për t’i shërbyer me përgjegjësi vendit.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që policët të dinë si të sillen dhe të reagojnë ndaj qytetarëve, duke ruajtur profesionalizmin dhe qetësinë në çdo situatë.

Mehmeti: Në fillim s’kam pasur dëshirë të jetë polic

Sot ka diplomuar djali im…Jemi nga komuna e Novobërdës. Emocione kam shumë të mëdha. Po ndihem shumë mirë. Në fillim s’kam pasur dëshirë të jetë polic, por tash po e shoh se duhet të jenë polic të rinj dhe ta mbrojnë shtetin e vet. Ashtu e kam pasur njëfarë ndjenje që nuk kam pasur dëshirë të jetë polic. A jeni frikësuar se mund t’i ndodhë diçka? Për atë arsye, këta të rinjtë pak më të vrullshëm, në situata të ndryshme duhet të mësohen si të reagojnë në rrugë, si të reagojnë tek qytetari. Po e shohim tani rinia janë shumë agresiv. A beson në djalin e juaj se do ta kryejë detyrën mirë? Besoj se do ta kryejë me përgjegjësi sepse është i edukuar si në familje, si në shoqëri, çdo kund…A të ka munguar sa ka qenë në trajnim? Po, më ka munguar shumë, gjithnjë më mungon”, shprehet Mehmeti.

Ndërkaq, Qamil Halilaj, prindi njërit nga kadetët që diplomuan sot potencon se të gjitha shpresat janë tek Polica e Kosovës.

Ai thotë se detyrë e policëve është që t’i kontribojnë shtetit duke kryer më përpikëri detyrat që kanë.

Halilaj: Pa polici dhe ushtri nuk ke as shtet

“Ka diplomuar djali. Mirë shumë. Shumë i gëzuar. I kontribon shtetit. Ka qenë dëshirë e djalit edhe si fëmijë kur ka qenë. Na ka munguar por vullneti dhe dëshira që e kemi pasur. Shpresat i kemi në Policinë e Kosovës. Pa pasur polici dhe ushtri nuk ke as shtet. Detyra kryesore e tyre është t’i kontribojnë shtetit vendit, të jenë të përpiktë në ato që i kanë“, thotë Halilaj.

Sot diplomoi Gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës, me 279 kadetë të rinj. Pas trajnimit intensiv, ata kanë përfunduar me sukses programin bazë dhe janë shprehur të gatshëm të shërbejnë në terren.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, përfshirë udhëheqës nga niveli qendror dhe lokal dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë, të cilët përgëzuan kadetët për përkushtimin dhe suksesin e tyre

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

abdyl bellopoja e la pa tekst janjushin ne perleshjen e beogradit nuk i la shoket ne balte 68711411bfb81
Lajmi i mëparshëm

Abdyl Bellopoja e la pa tekst Janjushin! Në përleshjen e Beogradit nuk i la shokët në baltë

zjarr i madh ne nje fabrike te predhave ne rusi 6871153d5737e
Lajmi i radhës

Zjarr i madh në një fabrikë të predhave në Rusi

Të fundit nga

ShkoLartë