Shqiptarja nga Londra, Fatmire Halili- Bunjaku ka vendosur të sjell përvojën dhe dijen e saj në Kosovë. Dy vjet më parë, ajo ka filluar të trajnojë mësimdhënësit në shkollat e Gjilanit, mbi metodat efektive për edukimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Fatmirja e cila u shkollua në Londër, është specialiste e disleksisë dhe avokuese për të drejtat e fëmijëve. Nga dëshira e madhe që të kontribuojë në Kosovë, së fundmi ajo ka themeluar edhe organizatën e parë të dedikuar për mbështetjen e personave me disleksi.
“Ura e Leximit”, që synon që të ndihmojë fëmijët, fillimisht për vlerësim të hershëm e më pas edhe për trajnimin e mësimdhënësve.
Fatmire Halili-Bunjaku në intervistën për KosovaPress, tregon se angazhimi i saj ka qenë gjithmonë i lidhur me mbrojtjen e fëmijëve dhe grupeve të margjinalizuara.
Halili-Bunjaku: Në Gjilan e kuptova sa e madhe është nevoja për mbështetje të fëmijëve me disleksi
“Jo, nuk e kam ditur që është nevoja kaq e madhe dhe jam ftuar fillimisht prej organizatës Germin dhe i kam trajnuar mësimdhënësit në Gjilan për nevojat e veçanta, metodat e punës. Aty e kam kuptuar nevojën e madhe dhe e kam themeluar organizatën ‘Ura e leximit’, përmes kësaj organizate po shpresoj që të vij dhe t’i vlerësoj të gjithë fëmijët në Kosovë, është profesoresha ime Elisabeth Herbert, ajo është e gatshme e ka shprehur dëshirën me ardh edhe ajo. Po shpresoj që sapo të formohet qeveria e re, të bashkëpunojë dhe t’i vlerësoj të gjithë fëmijët në Kosovë, pastaj pjesa tjetër është trajnimi i mësimdhënësve dhe dëshira ime e madhe është që të bëjë avokim, ndoshta kjo është ekspertiza ime e të drejtave të njeriut, mirëpo mendoj që është e nevojshme që këta fëmijë të mbrohen sepse kjo është një vështirësi që nuk duket”, thekson ajo në intervistën për KosovaPress.
Nga përvoja me prindër dhe mësimdhënës, ajo tregon se disleksia shpesh keqinterpretohet si dembelizëm, duke bërë që fëmijët të stigmatizohen dhe të humbin vetëbesimin, me pasoja serioze në mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor.
Halili-Bunjaku: Fëmijët me disleksi nuk vërehen dhe shumica e prindërve mendojnë që janë dembel
“Nuk vërehen dhe shumica e prindërve, mësimdhënësve mendojnë që fëmija është dembel. E kam pasur një rast së fundmi që shkolla ka menduar që është dembel por ai faktikisht ka disleksi. Dhe kjo do të thotë nuk vërehet por është çrregullim dhe kjo është e lindur, e përcjell çdo herë fëmijën, por me metodat e përshtatshme – fëmija mund të arrij sukses. Përndryshe, nuk jepet mundësia që të punohet me fëmijën në mënyra të veçanta, suksesi do të mungojë dhe fëmija nuk përparon. Dhe nuk është vetëm që fëmija nuk do të ketë mundësi të lexojë por akademikisht të mbërrijë, por i ndikon në mirëqenien, vetëvlerësimin dhe shëndetin mental”, shprehet ajo.
Specialistja e disleksisë, Fatmire Halili-Bunjaku tregon se po synojnë që përmes qasjes profesionale të fillojnë me vlerësimin e hershëm të fëmijëve në Kosovë, por më pas edhe të mësimdhënësve.
Halili-Bunjaku: Metodat e vlerësimin të fëmijëve janë të veçanta
“Së pari fillojmë me vlerësimin e fëmijëve, pastaj trajnimin e mësuesve, metodat e punës janë të veçanta, për shembull duhet fëmijës me i dhënë kohë sa të punojë. Nuk do të thotë që të gjithë fëmijët të kenë disleksi, ka vështirësi në shkrim e lexim por mund të ketë probleme të tjera, mund të ketë sfida të tjera. Mund të jetë me autizëm, ndoshta ka problem me dëgjim apo me të pamurit, apo ka vonesë të të folurit. Janë disa tjera situata, mirëpo bëhet vlerësimi me kohë, është shumë me rëndësi vlerësimi me kohë. Vërehet fëmija kur t’i bën 2-3 vjet fillon në çerdhe apo shtëpi, nuk i thotë fjalët mirë, nuk i shqipton mirë, pastaj poezitë e ka problem që t’i mbaj mend. Në këto raste fëmija përcjellet, nuk është i sigurt që e ka disleksi, por duhet të përcillet”, deklaron ajo.
Disleksia është një çrregullim i të mësuarit, i cili ndikon në aftësitë e të mësuarit, leximit, të folurit, drejtshkrimit të fëmijëve.
Burimi: botasot.info


