Nëna e yllit të Hollywoodit Brad Pitt, Jane Etta Pitt, vdiq në moshën 84 vjeç, sipas mediave amerikane.
Pitt dhe vëllai i tij Doug dhe motra Julie u rritën në Springfield, Missouri, me nënën Jane, një këshilltare shkolle në pension, dhe babain William, një ish-pronar të një kompanie kamionësh.
Mbesa e aktorit, Sydney (vajza e Doug) i bëri homazh Jane në Instagram këtë të mërkurë, duke shkruar se ajo kishte “zemrën më të madhe” dhe “kujdesej thellësisht për të gjithë dhe për gjithçka, pa asnjë pyetje”.
“Gjyshja ime e dashur, nuk ishim gati që të shkoje ende, por të dish që më në fund je e lirë të këndosh, të kërcesh dhe të pikturosh përsëri e bën pak më të lehtë”, tha ajo në një postim lamtumire.
Ajo tha gjithashtu se si arriti të përballonte të gjithë 14 nipërit e mbesat pa asnjë pengesë: “Dashuria që ajo dha ishte e pakufishme dhe e ndjenë të gjithë ata që e takuan. Nuk e di se si do të kishim vazhduar pa të… Ishim vërtet të bekuar që mundëm ta donim ndërsa po rriteshim dhe e di që ajo jeton përmes secilit prej nesh”.
Në një shfaqje speciale të filmit të tij të fundit “F1” në qershor, Pitt përshëndeti nënën e tij ndërsa i tha prezantueses Savannah Guthrie se e shikon emisionin Today çdo ditë.
“Duhet ta përshëndes mamin sepse ajo të shikon çdo mëngjes. Jane Pitt. Të dua, mami”, shtoi aktori, duke përshëndetur dhe duke i dhënë një puthje në një videoklip të ndarë nga Today.
Burimi: botasot.info


