Një tragjedi familjare që tronditi Shtetet e Bashkuara është rikthyer në qendër të vëmendjes përmes një prej proceseve gjyqësore më të ndjekura në Massachusetts. Në bankën e të akuzuarve ndodhet Lindsay Clancy, e cila përballet me akuzat për vdekjen e tre fëmijëve të saj të vegjël. Cora, 5 vjeçe, Dawson, 3 vjeç dhe Callan, vetëm 8 muajsh, u gjetën të pajetë në banesën e familjes në Duxbury, në janar të vitit 2023. Clancy është deklaruar e pafajshme, ndërsa mbrojtja e saj e ka ndërtuar çështjen rreth gjendjes së rëndë psikike në të cilën, sipas tyre, ndodhej në periudhën pas lindjes së fëmijës së tretë.
Pas javësh dëshmish, juria është përballur me dy versione krejtësisht të ndryshme të asaj që mund të ketë ndodhur. Prokuroria këmbëngul se veprimet e Clancy-t ishin të vetëdijshme dhe të menduara. Sipas tyre, sjellja e saj para ngjarjes, së bashku me të dhënat e mbledhura nga telefoni, mund të tregojë se ajo e kishte kuptuar situatën dhe kishte menduar paraprakisht për veprimet e saj.
Mbrojtja paraqet një tjetër tablo. Avokatët argumentojnë se Clancy vuante nga një gjendje e rëndë psikoze pas lindjes, e ndikuar edhe nga probleme të tjera të shëndetit mendor dhe trajtimi medikamentoz. Sipas tyre, ajo nuk ishte në gjendje të perceptonte realitetin dhe të kontrollonte veprimet e saj në momentin e tragjedisë. Në proces janë diskutuar edhe kërkimet e kryera nga telefoni i saj në ditët para ngjarjes. Të njëjtat të dhëna interpretohen ndryshe nga palët: prokuroria i sheh si dëshmi të vetëdijes dhe planifikimit, ndërsa mbrojtja si pasqyrim të ankthit dhe gjendjes së rënduar psikologjike të një gruaje që po përpiqej të kuptonte atë që po i ndodhte.
Një tjetër pikë kyçe është historia e saj e trajtimit psikologjik. Sipas mbrojtjes, Clancy kishte kërkuar ndihmë dhe gjendja e saj ishte përkeqësuar pavarësisht trajtimit. Megjithatë, një psikiatër që e kishte ndjekur ka deklaruar se gjatë takimit të fundit nuk kishte vërejtur shenja psikoze. Në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe Patrick Clancy, babai i fëmijëve. Dëshmia e tij dhe mënyra se si ai ka përshkruar ndryshimet që kishte vënë re tek ish-bashkëshortja para tragjedisë janë bërë pjesë e rëndësishme e procesit.
Ndërkohë, rasti ka shkaktuar diskutime të shumta edhe në rrjetet sociale. Disa prej tyre lidhen me rolin e babait dhe rrethanat në të cilat ndodhej familja në momentet para tragjedisë. Mesazhe, komunikime dhe dëshmi të paraqitura në gjykatë janë analizuar gjerësisht nga publiku, duke ushqyer teori dhe pikëpyetje që ende nuk kanë një përgjigje përfundimtare. Por pyetja kryesore e këtij procesi nuk është vetëm se çfarë ndodhi me tre fëmijët. Juria duhet të përcaktojë edhe nëse nëna ishte penalisht përgjegjëse për veprimet e saj apo nëse gjendja e saj e rëndë mendore kishte ndikuar në mënyrë vendimtare në perceptimin e realitetit dhe sjelljen e saj.
Rasti ka hapur një debat të gjerë në SHBA mbi psikozën pas lindjes, shëndetin mendor të nënave dhe kufirin mes sëmundjes mendore dhe përgjegjësisë penale. Gjyqi vijon, ndërsa pyetja që mbetet pezull është e rëndë: çfarë ndodhi në të vërtetë në ato orë dhe a ishte Lindsay Clancy në gjendje të kuptonte atë që po bënte?
Burimi: botasot.info


