SPAK ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, pas hetimeve që zbuluan një skemë të dyshuar për futjen e fondeve me origjinë kriminale në ekonominë shqiptare përmes kompanive fiktive.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë qershorit 2024 janë krijuar në Shqipëri tre shoqëri tregtare, “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të gjitha me kapital minimal, të regjistruara në të njëjtën adresë dhe pa ushtruar aktivitet real ekonomik. Sipas SPAK, këto kompani janë përdorur si mekanizma për të futur në qarkullimin formal fonde me origjinë të dyshuar kriminale.
Prokuroria thotë se janë evidentuar transaksione bankare me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion justifikues dhe transferta ndërkombëtare drejt subjekteve të huaja të lidhura me personat nën hetim.
Në qendër të skemës, sipas SPAK, ka qenë shoqëria “Wortend” sh.p.k., e cila ka realizuar qarkullime financiare që nuk përputheshin me aktivitetin e deklaruar. Gjithashtu janë konstatuar kreditime bankare më të larta se vlera e faturave, pagesa ndaj kompanive të huaja pa dokumentacion dhe investime në pasuri të paluajtshme e automjete luksoze.
Një pjesë e fondeve është përdorur për blerjen e dy pronave në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, për një vlerë të deklaruar prej 1.62 milionë eurosh. Nga ekspertimi ka rezultuar se vlera reale e tregut të këtyre pronave ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontratat e shitblerjes.
SPAK bën me dije se gjatë hetimit është siguruar informacion edhe nga autoritetet gjyqësore të Spanjës, sipas të cilit disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi edhe për vepra penale të mashtrimit.
Sipas organit të akuzës, Domingo Romillo Iriarte kishte rolin drejtues dhe organizues të skemës, duke administruar kompanitë, orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet. Ndërsa Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kontribuuan në krijimin e fasadës së ligjshme të aktivitetit ekonomik përmes roleve të tyre në kompanitë “Wortnova” dhe “Wortend”.
Nga ana tjetër, Doris Pere akuzohet se ka ndihmuar funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë sigurimin e adresave të kompanive dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.
Mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Burimi: botasot.info


