Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas fitores së kombëtares shqiptare ndaj Finlandës, duke shprehur entuziazmin për suksesin e kuqezinjve, shkruan “Bota sot”.
Rama ka treguar se lajmin për fitoren e Shqipërisë e ka ndjekur gjatë darkës së Komunitetit Politik Evropian, ku ishte i ulur në një tavolinë me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministrin e Finlandës. Në afërsi të tyre ishte edhe presidenti i Francës.
Përmes një reagimi, Rama ka uruar lojtarët shqiptarë për fitoren, duke e cilësuar atë si fantastike.
“Nuk rrija dot pa ndërhyrë këtu, jam në makinë, por ishim në darkën e komunitetit politik europian. Ishim në një tavolinë me Giorgia Meloni dhe kryeministrin e Finlandës, e me disa të tjerë. Ngjitur ishte presidenti i Francës. Nuk kam fjalë për t’i përshëndetur lojtarët kuqezi, se na dhanë një fitore fantastike me Finlandën. Italia fitoi me Francën, dihet si shkoi muhabeti, Ishte super, Shqipëria fitoi, Italia fitoi. Bashkë me motrën e mbyllëm me fitore darkën sot”, tha Rama.
Kështu, kryeministri shqiptar ka ndarë edhe atmosferën e veçantë të mbrëmjes, ku fitoret e Shqipërisë dhe Italisë e bënë darkën edhe më të këndshme.
Burimi: botasot.info


