1
Lubljanë, 16 janar – Nga 1 janari 2026, Sllovenia ka futur një model të ri punësimi të quajtur “80-90-100”, i cili sjell ndryshime të rëndësishme, veçanërisht për punëtorët më të moshuar dhe ata me përvojë të gjatë pune. Kjo masë është pjesë e një reforme më të gjerë të tregut të punës dhe synon të mbajë punëtorët me përvojë në vendin e punës, si dhe të përmirësojë balancën mes jetës profesionale dhe asaj private.
Si funksionon modeli “80-90-100”?
Thelbi i modelit është shumë i thjeshtë: punëtori punon 80% të orarit të plotë, merr 90% të pagës së rregullt, ndërsa kontributet për sigurimin pensional dhe shëndetësor paguhen në tërësi – sikur të punonte me orar të plotë.
Në këtë mënyrë, punëtorët fitojnë dukshëm më shumë kohë të lirë, me një rënie relativisht të vogël të të ardhurave dhe pa asnjë ndikim negativ në shumën e pensionit të ardhshëm, shkruan gpmaljevac.com.
Kush ka të drejtë ta përdorë këtë përfitim?
Modeli “80-90-100” mund të përdoret nga:
punëtorët mbi 58 vjeç, ose
punëtorët me të paktën 35 vite stazh pune.
Zbatimi bëhet vetëm me marrëveshje ndërmjet punëtorit dhe punëdhënësit.
Punëtorët që e përdorin këtë model mund të zgjedhin forma të ndryshme të orarit të reduktuar, për shembull: një ditë pushimi gjatë javës, fundjavë të zgjatur ose orar më të shkurtër çdo ditë pune.
Kjo fleksibilitet është veçanërisht e rëndësishme për profesionet me ngarkesë fizike, ku puna afatgjatë shpesh çon në probleme shëndetësore dhe pushime të shpeshta mjekësore.
Pse Sllovenia e futi këtë masë?
Qeveria sllovene përmend arsyet kryesore në vijim:
plakja e fuqisë punëtore,
mungesa në rritje e punëtorëve të kualifikuar,
nevoja për ruajtjen e njohurive dhe përvojës së punëtorëve më të moshuar,
ulja e pushimeve mjekësore,
rritja e produktivitetit të përgjithshëm.
Edhe pse modeli nënkupton kontribute më të larta, vlerësimet tregojnë se këto kosto do të shlyhen në afat të gjatë përmes pensionimit më të vonë dhe uljes së presionit mbi sistemin pensional.
Modeli “80-90-100” tashmë konsiderohet një nga shembujt më interesantë të punës fleksibile në rajon dhe po ndiqet me vëmendje edhe nga vende të tjera evropiane që përballen me sfida të ngjashme demografike.
Ndërkohë, në Maqedoni, punëdhënësit nuk duan ta rrisin pagën minimale nga 400 në 600 euro, duke argumentuar se paga më e lartë duhet të jetë rezultat i produktivitetit, duke aluduar se aktualisht punëtorët e kualifikuar nuk janë mjaftueshëm produktivë në ekonominë maqedonase.
“ Në Maqedoni, fitimet e kompanive, si përqindje e të ardhurave kombëtare, janë ndër më të lartat në Evropë, ndërsa pagat ndër më të ultat. Fitimet janë rreth 55 për qind, ndërsa pagat rreth 45 për qind. Në Bashkimin Evropian është e kundërta.
Prandaj, ka absolutisht hapësirë për rritjen e pagave. Edhe nëse ka kompani që nuk mund ta përballojnë rritjen, mund të futen masa të veçanta mbështetëse. Kështu u veprua edhe në vitin 2017, kur paga minimale u rrit për 25 për qind. Edhe atëherë biznesmenët thoshin se nuk do t’ia dilnin dhe do të mbylleshin, por në fund askush nuk mbeti pa punë dhe askush nuk u mbyll”, thotë analisti ekonomik Branimir Jovanoviq në një intervistë për “Fokus”.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Slobodan Trendafilov, bëri të ditur se 11.384 punëtorë nga Maqedonia kanë marrë leje pune për të punuar në Kroaci, ndërkohë që këtu qeveria dhe punëdhënësit kundërshtojnë rritjen e pagës minimale dhe e lidhin atë me produktivitetin e punëtorit.
“Politika e pagave të ulëta është shumë e gabuar, por nëse nuk dilni me ne në protesta, ata mendojnë se i mbështesni! Në vitin 2025, 11.384 punëtorë nga Maqedonia morën leje pune për Kroaci. Sa të tjerë kanë shkuar në Mal të Zi, Slloveni, Gjermani e gjetkë, ndërsa punëdhënësit maqedonas kanë zëvendësuar vetëm 8.500 prej tyre me punëtorë nga Bangladeshi, Nepali dhe India (për të cilët dyshoj se kanë qëndruar në Maqedoni).
Punëdhënësit ankohen se nuk kanë punëtorë të kualifikuar, qeveria mendon se nuk duhet të rriten pagat, ndërsa punëtorët largohen nga Maqedonia. Prandaj, është legjitime pyetja: kujt i intereson që punëtorët e kualifikuar maqedonas të largohen nga vendi?”, thuhet në postimin në Facebook.


