Ndërmarrja publike komunale Trafiku Urban ka dalë me sqarim rreth ndërprerjes së qarkullimit të autobusëve në të gjitha linjat e Prishtinës, duke thënë se një gjë e tillë vjen si pasojë e mungesës së pagave dhe karburanteve, dhe se rikthimi në funksion do të bëhet vetëm pas alokimit të mjeteve të bllokuara.
Njoftimi vjen pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama mbajti sot një takim me përfaqësuesit e transportit urban dhe Shoqatës së Transportuesve të Sektorit Privat, raporton KosovaPress.
Në takim u bë e ditur se duke filluar nga dita e hënë transporti publik në kryeqytet do të ndalet për shkak të bllokimit të buxhetit komunal nga Ministria e Financave.
Ndërmarrja Trafiku Urban ka paralajmëruar se qarkullimi i linjave do të rifillojë vetëm pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.
“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes. Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme”, thuhet në komunikatë.
Burimi: botasot.info


