Një moment prekës dhe simbolik i është dedikuar legjendës së heavy metal-it, Ozzy Osbourne, gjatë koncertit të mbrëmshëm të Coldplay në Nissan Stadium të Nashville.
Grupi britanik interpretoi versionin e tyre të baladës rock të vitit 1972 nga Black Sabbath, “Changes”, në kujtim të frontman-it legjendar, i cili ndërroi jetë të martën, më 22 korrik, në moshën 76-vjeçare.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Ozzy Osbourne u konfirmua nga familja e tij, e cila bëri të ditur se artisti u shua i rrethuar nga të afërmit e tij dhe në paqe. Para fillimit të koncertit, një fans publikoi në rrjetet sociale një video nga jashtë stadiumit, ku dëgjohej grupi duke provuar këngën “Changes” gjatë soundcheck-ut.
Gjatë performancës live, vokalisti i Coldplay, Chris Martin, u shpreh: “Do donim t’ia kushtonim të gjithë këtë koncert një gjeniu të jashtëzakonshëm, një njeriu të talentuar dhe të veçantë, një dhuratë për botën, që ishte Ozzy Osbourne. I dërgojmë të gjithë dashurinë tonë familjes së tij.”
Pas interpretimit të baladës, Martin shtoi me emocion: “Ozzy, të duam, kudo që të shkosh.”
Në autobiografinë e tij të vitit 2011 “I Am Ozzy”, shkruar bashkë me Chris Ayres, Osbourne kishte treguar se frymëzimi për tekstin e “Changes” lindi pas ndarjes së kitaristit Bill Ward nga gruaja e tij e parë. Kënga u shkrua nga Ozzy bashkë me basistin dhe tekstshkruesin e Black Sabbath, Geezer Butler.
Në vitin 2003, Ozzy e regjistroi sërish këngën si duet me vajzën e tij, Kelly Osbourne, duke u bërë një nga momentet më të ndjera të karrierës së tij familjare dhe muzikore.
Reagimi i familjes Osbourne
Në deklaratën e publikuar të martën më 22 korrik, familja e artistit tha: “Me më shumë dhimbje sesa mund të shprehen me fjalë, njoftojmë se i dashuri ynë Ozzy Osbourne ndërroi jetë këtë mëngjes. Ishte i rrethuar nga familja dhe dashuria.
Ju kërkojmë të respektoni privatësinë tonë në këtë moment të vështirë.” Ozzy lë pas gruan e tij Sharon dhe gjashtë fëmijët e tij.
Vdekja e ikonës së rock-ut ndodhi vetëm pak javë pas ribashkimit të tij me anëtarët e grupit Black Sabbath në një koncert lamtumire në Villa Park, Birmingham, qyteti ku kishte nisur gjithçka për ta. Kjo performancë u bë shfaqja e tij e fundit para publikut.
I ulur në një fron, përballë një stadiumi të mbushur me fansa, Osbourne u shpreh me zë të dridhur: “Nuk mund ta përshkruaj se si ndjehem, ju falënderoj nga zemra.”
Mbrëmja lamtumirëse përfshinte edhe emra të mëdhenj të skenës rock si Metallica dhe Guns N’ Roses, në një homazh madhështor për njeriun që për dekada me radhë mbajti gjallë shpirtin e muzikës së rëndë.
Burimi: botasot.info


