Kosova ka humbur një nga figurat e saj më të rëndësishme akademike, institucionale dhe politike. Ndarja nga jeta e akademikut Nexhat Daci ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, në botën akademike, por edhe në rrethin politik e institucional të vendit.
Daci, i cili ishte Kryetari i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës pas luftës, mbetet një emër i lidhur ngushtë me proceset shtetformuese, me ndërtimin e institucioneve demokratike dhe me periudhën e bashkëpunimit të afërt me Presidentin Historik, Ibrahim Rugova.
Figura e tij ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në jetën politike, por edhe në arsimin e lartë, shkencë dhe debatet publike, duke qenë për dekada një zë i njohur i mendimit akademik dhe institucional.
Vdekja e akademikut Nexhat Daci po vlerësohet si një humbje e madhe për Kosovën, ndërsa personalitete të ndryshme po ndajnë kujtime, vlerësime dhe reflektime mbi kontributin, por edhe mbi rolin e tij kompleks në zhvillimet politike të pasluftës.
Do të kujtohet përherë
Publicisti Haki Latifi e cilëson ndarjen nga jeta të akademikut Daci si një humbje të madhe kombëtare dhe institucionale.
“Sot Kosova dhe populli shqiptar humbi njërin prej figurave me vlerë kombëtare, akademike dhe institucionale. Akademik Nexhat Daci ishte burrë i dijes, i shkencës e i kulturës, një mendje e ndritur dhe shtyllë e rëndësishme e ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shprehet Latifi.

Ai kujton se si Kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës, Daci dha një kontribut të pazëvendësueshëm në themelimin dhe forcimin e institucioneve demokratike, duke qenë pjesë e brezit që politikën e kuptonte si mision publik dhe institucionin si vlerë që duhet ruajtur me përgjegjësi.
“Jeta dhe vepra e tij lanë gjurmë të thella në arsimin e lartë, në akademi dhe në jetën publike të vendit. Do të kujtohet përherë për urtësinë, vizionin shtetformues dhe përkushtimin e palëkundur ndaj Kosovës”, thekson Latifi, duke shtuar se i ndjeri ishte pjesë e kujtesës institucionale të shtetit dhe zë një vend meritor në shtetkrijim.
Ai përfundon me ngushëllime për familjen dhe qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar akademik Nexhat Dacin si figurë që do të mbetet e përjetshme në kujtesën kolektive.
Humbje e madhe për akademinë dhe universitetin ku ai punoi
Ndërkaq, Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i Sali Çekajt, e sheh ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit në dimensionin njerëzor, akademik dhe politik, duke e cilësuar si humbje të rëndë për shoqërinë kosovare.
“Lajmet mortore janë gjithmonë të mërzitshme dhe na bëjnë të ndihemi keq, edhe pse janë pjesë e pandashme e procesit jetësor të çdo individi”, shprehet Tahiraj, duke theksuar se vdekja e një figure të tillë rëndon edhe më shumë për shkak të rolit të tij publik.

Sipas tij, akademik Nexhat Daci ishte një humbje e madhe për akademinë dhe universitetin ku ai punoi, por edhe për shoqërinë në tërësi, duke qenë se mbajti poste të rëndësishme si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i LDD-së.
Tahiraj thekson se tradita jonë kërkon që në raste të tilla të flitet për anët pozitive të të ndjerit, por vlerëson se me maturi duhet përmendur edhe dimensioni kritik i veprimtarisë politike.
“Akademik Nexhat Daci do të kujtohet edhe si një nga figurat kryesore të ndarjes së LDK-së në dysh, proces që kulmoi me ‘Kuvendin e Karrikave’, pasojat e të cilit po i bart LDK edhe sot”, shprehet ai.
Megjithatë, Tahiraj nënvizon se përtej vlerësimeve pozitive apo kritike, sot mbi të gjitha qëndron dhembja e familjes, me të cilën ai solidarizohet duke shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta.
Ndarja nga jeta e akademikut Nexhat Daci mbyll një kapitull të rëndësishëm të historisë institucionale të Kosovës, por trashëgimia e tij në shtetndërtim, akademi dhe jetën publike mbetet pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të vendit.
Burimi: botasot.info


