Kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Perlat Çullhajt në sektorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, duke e cilësuar këtë vendim si një dëshmi të qartë të kapjes së shtetit nga kartelët e drogës.
Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se Çullhaj ishte shkarkuar nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me trafikantë droge, ndërsa sot, sipas tij, rikthehet në një pozicion kyç në një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë.
“Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor i Saimir Tahirit, një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë, milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015,” deklaroi Berisha, duke përmendur edhe lidhjet e tij me figura të njohura të krimit të organizuar si Emiljano Shullazi.
Berisha e akuzoi qeverinë se, përmes emërimeve të tilla, i shërben interesave kriminale në strukturat shtetërore dhe paralajmëroi se “droga dikton të gjithë nomenklaturën e narkoshtetit, duke kontrolluar poste, aktivitete dhe emërime në shtet”.
Burimi: botasot.info


