Supermodelja e njohur ndërkombëtarisht, Naomi Campbell, ka tërhequr vëmendjen gjatë Javës së Modës në Milano, duke u shfaqur në një prej mbrëmjeve më të komentuara të qytetit italian.
56-vjeçarja u fotografua teksa mbërrinte në klubin e natës Twiga, e veshur me një fustan shkëlqyes me dekolte të theksuar, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e të pranishmëve dhe fotografëve.
Por Campbell nuk ishte vetëm e ftuar në këtë mbrëmje. Supermodelja mori edhe rolin e DJ-së, duke performuar për të pranishmit në klub.

Paraqitja e saj në Milano ka rikthyer në vëmendje edhe raportimet se modelja mund ta ketë bërë qytetin italian bazën e saj të re.
Sipas raportimeve, Campbell prej vitesh është e mahnitur nga Milano, veçanërisht gjatë vizitave të saj të shpeshta për Javën e Modës.
Madje, sipas Forbes, modelja ka vendosur të ketë si bazë të re një pronë në një prej zonave më ekskluzive të Milanos, transmeton “Bota sot”.
Edhe vetë Campbell ka nxitur më tej spekulimet për një zhvendosje të mundshme përmes postimeve të saj në rrjetet sociale.

Ajo ka publikuar disa fotografi nga Milano me miq të saj dhe në disa prej postimeve ka përdorur edhe hashtagun “#CASA”, duke shtuar dyshimet se qyteti mund të jetë bërë tashmë një prej shtëpive të saj kryesore.
Edhe pse ka lindur në Londër dhe vazhdon të kalojë kohë atje, Naomi aktualisht nuk ka një banesë të përhershme në kryeqytetin britanik.
Në të kaluarën, ajo ka pasur prona në New York dhe Kenia, ndërsa ka jetuar edhe në Moskë gjatë lidhjes së saj me miliarderin rus Vladislav Doronin.
Përtej karrierës së saj të jashtëzakonshme në botën e modës, Campbell është edhe nënë e dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, të cilët i ka mirëpritur përmes nënës surrogate.

Supermodelja ka folur shpesh publikisht për rëndësinë që fëmijët kanë në jetën e saj, duke theksuar se ata përbëjnë prioritetin e saj kryesor.
Ndërkohë, paraqitja e fundit në Milano ka treguar edhe një herë se Naomi Campbell vazhdon të jetë një prej figurave më të fotografuara dhe më të komentuara të botës së modës, edhe jashtë pasarelave.
Burimi: botasot.info


