Koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit janë bërë krye- temë e ditëve të fundit.
Derisa PDK ka zyrtarizuar koalicionin e saj me Eman Rrahmanin e Listës Familja, LDK-ja po merret me aderimet e reja dhe ka paralajmëruar se është e hapur për një koalicion me NISMA-n e Fatmir Limajt.
Mirëpo, ky paralajmërim nuk është se po mirëpritet tek elektorati i kësaj partie.
Kjo pasi koalicioni eventual me Limajn po konsiderohet i panatyrshëm.
Kështu po vlerëson edhe avokati Naim Cami, i cili ka reaguar ashpër ndaj kreut aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të cilin e akuzon se po vepron në kundërshtim me filozofinë politike të Dr. Ibrahim Rugovës dhe me vlerat historike të LDK-së.

Në një prononcim për “Bota sot”, Cami thotë se personi që sot mban pozitën e kryetarit të LDK-së “nuk ia vlen as të përmendet me emër”, duke e cilësuar si “shërbëtor të katapultuar” nga ish-kryetari Isa Mustafa dhe, siç shprehet ai, edhe nga struktura të lidhura me klanin “Pronto”.
“Ai që momentalisht e ka zënë vendin e kryetarit të LDK-së, e që nuk ia vlen as emrin t’ia përmendësh për ta vërtetuar mjerimin e vet si shërbëtor i përulur dhe i katapultuar aty ku është, nga ish-“terminatori nr. 2” i LDK-së, Isa Mustafa, dhe në mënyrë implicite edhe nga klani “Pronto”, merr guximin që, sipas tij dhe mentorëve urdhërdhënës, në mënyrën më banale ta ofendojë kryetarin legjendaro-historik të LDK-së dhe të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, duke njoftuar votuesit e LDK-së – të cilët sot e kësaj dite dhe përgjithmonë do të votojnë në nder të kujtimit të pashlyeshëm për Dr. Ibrahim Rugovën – se do të bëjë aleancë parazgjedhore me kryetarin e një partie gati inekzistente, “Nisma”, thotë Cami për “Bota sot”.
Sipas Camit, vendimi i kryesisë aktuale për të paralajmëruar një aleancë parazgjedhore me Nismën është “fyerja më e rëndë” ndaj votuesve rugovistë dhe ndaj vetë figurës së Dr. Ibrahim Rugovës. Avokati vlerëson se drejtuesit aktualë të LDK-së janë të vetëdijshëm se ky koalicion “anormal, denigrues dhe ofendues” do të prodhojë reagime të forta dhe pasoja të rënda në rezultatin zgjedhor.
Sipas tij, me këtë hap po tentohet “fundosja përfundimtare e filozofisë rugoviste”, filozofi mbi të cilën LDK-ja u ngrit dhe kontribuoi në shtetformimin e Kosovës.
“I vetëdijshëm se ky koalicion anormal, denigrues dhe ofendues do të sjellë reagime negative nga votuesit e LDK-së, përkatësisht pasoja tejet të rënda në rezultatin zgjedhor, ky shërbëtor i katapultuar, me qëllim destruktiv, shkatërrues dhe të urdhëruar por tejet të dukshëm, mundohet në këtë mënyrë mjerane t’i sjellë fundin definitiv politik filozofisë rugoviste, mbi të cilën u krijua dhe funksionoi LDK-ja në kohërat më të vështira për Kosovën, duke dhënë kontributin e pashoq, të pakontestueshëm dhe më të vlefshëm intelektualo-politik në ndërtimin e themeleve të pavarësisë dhe shtetformimit të Kosovës”, shton ai.
Ai thekson se votuesit e LDK-së “përgjithmonë votojnë në nder të kujtimit të Rugovës”, prandaj ky koalicion – siç thotë – bie ndesh me vlerat dhe identitetin historik të partisë.
Sipas avokatit, kreu aktual i LDK-së po synon “shpërblimin final” për degradimin e partisë, por nuk po arrin ta kuptojë se votuesit e ndërgjegjshëm të LDK-së kanë prioritet krejtësisht tjetër: rikthimin e vlerave rugoviste dhe rimëkëmbjen e thellë të partisë.
“Ky shërbëtor i katapultuar, me urdhër të mentorëve të tij, në këtë tentativë mjerane të lartpërmendur, lidh koalicion parazgjedhor me: njeriun që gjendet në listën e zezë të SHBA-së, njeriun që në mënyrë tejet të turpshme, kohë më parë, tradhtoi miqësinë shumëvjeçare me Ramush Haradinajn, duke iu lëpirë kryeministrit në detyrë për ndonjë post të pamerituar, por prej nga mori një refuzim të merituar, njeriun që asnjë parti politike nuk e dëshiron në koalicion”, nënvizon ai.
Cami thotë se LDK-ja duhet të çlirohet nga “injorantët e katapultuar”, në mënyrë që të rikthehet në rrugën e saj të vërtetë politikë-shtetformuese.
“Ky shërbëtor i katapultuar, sipas logjikës së tij të varfër, me lidhjen e këtij koalicioni pretendon të marrë “shpërblimin final” për degradimin dhe shkatërrimin e LDK-së, duke mos qenë i aftë të gjykojë faktin se, për votuesit e ndërgjegjshëm të LDK-së, shumë më i rëndësishëm dhe prioritar është riafirmimi i vlerave të mirëfillta të filozofisë politiko-shtetërore të Dr. Ibrahim Rugovës, që do të arrihet përmes një riformatimi dhe rimëkëmbjeje thelbësore të LDK-së, ku ajo do të çlirohej nga këta injorantë, sesa ndonjë periudhë mjerane-abuzive qeverisëse ku ëndërron të qeverisë ky shërbëtor i katapultuar”, përfundon Cami.
Burimi: botasot.info


