Çmimi i naftës është rritur sërish. Që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme nga 28 shkurti, pasojat po ndihen edhe në Shqipëri, duke pasur rritje me gati 25 lek më shumë se para luftës, me vlera maksimale që arrijnë deri në 199 lek për litër.
Pikat e tregtimit me shumicë në kryeqytet ndryshuan vlerat e shitjes, duke lënë pas çmimet e para krizës që varionin nga 173-175 lek për litër.
Shtrenjtimi i naftës vjen si rrjedhojë e rritjes së mëtejshme të çmimeve të naftës në bursë për shkak të tensioneve mes Iranit dhe Izrael e SHBA, ku u sulmuan edhe objektet e prodhimit të lëndëve djegëse.
Të martën raportohet se ‘Nafta bruto Brent, çmimi ndërkombëtar i naftës, u rrit me 3% në 103.2 dollarë për fuçi që llogaritet gati 50% më e lartë nga nivelet para fillimit të luftës.
Edhe të dhënat e doganave tregojë se çmimi i naftës së importuar me referencë çmimet e bursës PLATTS është rritur nga 1206 dollar për ton në 12 mars, në 1225 dollarë për ton 4 ditë më vonë më 16 mars. Duke krahasuar me shifrat e dy javëve më parë, importi është rritur me 337 dollarë për ton.
Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të mbetet i lartë, për shkak edhe të taksave si akciza, e karbonit dhe qarkullimit si dhe tvsh-ja 20% duke rënduar çmimin vetëm taksa në 100-110 lekë për litër.
Burimi: botasot.info


