Në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh.
Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, bëri të ditur se gjykata ka pranuar një parashtresë nga avokati Berisha, i cili ka njoftuar se nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme pasi që është i angazhuar në një rast të vrasjes së rëndë në Gjakovë, seancë e cila është caktuar më herët, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Me të njëjtën parashtesë, ky avokat ka kërkuar nga gjykata që ta shtyjë seancën e datës 25.09.2025 për shkak se ka planifikuar një udhëtim jashtë Kosovës për këtë datë”, shtoi gjykatësi Beqiri.
Lidhur me këtë çështje, gjykatësi Beqiri, pyeti të akuzuarin Shabani nëse dëshiron të përfaqësohet nga një avokat tjetër, mirëpo i akuzuari tha se avokatin Berisha nuk e ndërron deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme dhe ajo e datës 25 shtator 2025, shtyhen për një datë tjetër.
Burimi: botasot.info


