Bartësi i listës për këshilltarë të koalicionit VLEN në Komunën e Çairit, Muhamed Murtezi, në një bisedë për PressOnline.al deklaroi se pas dekadash përvojë në shoqërinë civile ka vendosur të angazhohet edhe në politikë, me bindjen se mund të japë kontribut real për komunën.
“Oferta politike ka qenë prej shumë kohësh, por unë kam zgjedhur t’i qëndroj besnik shoqërisë civile. Që nga viti 1991 kam qenë i përfshirë në organizata rinore, kulturore e humanitare dhe për gati tri dekada kam drejtuar Shtëpinë Botuese ‘Furkan Isom’. Kësaj here vendosa të pranoj ofertën e mikut tim, Izeti, kryetari i ardhshëm i Çairit, për të qenë bartës i listës për këshilltarë. Besoj fuqimisht se përvoja ime në shoqërinë civile do të shërbejë edhe në këtë angazhim politik, për t’i dhënë Çairit atë që realisht meriton – një ndryshim funksional dhe substancial”, deklaroi Murtezi për PressOnline.al
Ai theksoi se dy problemet më urgjente të Çairit janë infrastruktura dhe higjiena komunale.
“Infrastruktura, sidomos komunikacioni dhe mungesa e parkingjeve, është një problem madhor. Rregullimi i rrugëve kyçe si ajo e Jahja Pashës është domosdoshmëri. Problemi tjetër është higjiena: mbeturina të grumbulluara, kontejnerë plot, rrugë të papastra. Kjo gjendje kaotike është pasojë e mosveprimit të qytetit të Shkupit. Fatkeqësisht, duket sikur situata edhe po shfrytëzohet politikisht këtyre javëve të fundit. Qytetarët e Çairit meritojnë kushte shumë më të mira jetese”, tha ai.
Sipas Murtezit, përveç këtyre sfidave, prioritet mbetet edhe arsimi, nga parashkollorët deri te niveli universitar.
“Çairi mundet më mirë dhe meriton më mirë. Ne do të jemi në shërbim të qytetarëve dhe do të përpiqemi të ndërtojmë së bashku një komunë funksionale dhe moderne”, theksoi Murtezi.


