Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se nga 1 nëntori i këtij viti e deri më 15 janar të vitit që vjen do të zhvillojë fushatë të intensifikuar informuese për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe të huajt me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Kosovë, e cila ka të bëjë me zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huajt.
“Kjo fushatë do të realizohet përmes takimeve me qytetarë, tryezave të diskutimit me organizata të shoqërisë civile si dhe aktiviteteve informuese në terren, në media lokale dhe qendrore, dhe përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, me qëllim të adresimit të pyetjeve dhe paqartësive që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huajt”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Fokusi i veçantë i kësaj fushate, sipas tyre, do të jetë informimi i qytetarëve për kushtet e pjesëmarrjes në trafik në territorin e Republikës, veçanërisht për automjetet e regjistruara në vendin e huaj dhe çështjet që ndërlidhen me zbatimin e dispozitave ligjore për automjetet.
“Fushata, gjithashtu do të ofrojë udhëzime praktike për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës”, bëhet e ditur tutje në njoftim.
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuar për të siguruar bashkëpunim të hapur dhe transparent me të gjithë qytetarët, pa dallim, me qëllim të informimit të drejtë, zbatimit të plotë të ligjeve dhe përmbushjes së obligimeve ligjore.
“Për më shumë informacione, ftojmë qytetarët që të ndjekin njoftimet zyrtare në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës”, thotë kjo ministri.
Burimi: botasot.info


