Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu, ndërkaq në viset malore me lartësi mbidetare mbi 1500 m parashihen reshje bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 6 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 8 deri në 11 gradë.
Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-6m/s.
IHK njofton tutje se duke u bazuar në të dhënat, modelet dhe vrojtimet e kushteve të përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që gjatë datave 18–19/11/2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë.
IHK njofton se këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete.
HMK thekson se reshjet e cilat kanë filluar të shfaqen gradualisht do të përfshijnë tërë territorin e Kosovës, ndërsa zonat e rrezikuara më shumë janë ato me karakteristikë lumore dhe malore, përfshirë basenet e Drinit të Bardhë, Bistricës së Prizrenit, Mirusha, Toplluhës, Erenikut dhe Bistricës së Deçanit.
Instituti njofton se reshjet mund të tejkalojnë sasinë prej 40 l/m² brenda 24 orëve, duke shkaktuar rrezik të përmbytjeve, vështirësi në qarkullim, dëmtime të tokave bujqësore, rrëshqitje dheu e balte, si dhe rrezik potencial për jetën e njerëzve dhe kafshëve.
IHMK apelon qytetarët dhe institucionet që të jenë të kujdesshëm dhe të ndërmarrin masat e nevojshme mbrojtëse, ndërsa thekson se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmes të dhënave nga rrjeti i stacioneve hidrometeorologjike.
Ndërkaq, Agjencia e Menaxhimit Emergjent thekson se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante.
Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112.
Burimi: botasot.info


