Fillimisht, Lista Serbe nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Megjithatë, kjo vendim nuk u pranua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta certifikojë Listën Serbe. Palët kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve nga ky vendim.
Kjo parti ka mbështetjen e Beogradit, çka u dëshmua edhe në protestën e organizuar të shtunën në veri të vendit, në mbështetje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në protestë morën pjesë edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, nënkryetari Igor Simiq, si dhe kandidatët për kryetarë të komunave në veri, Milan Radojeviq, Dragiša Miloviq dhe Milosh Peroviq.
Gjatë protestës u raportua për një person të arrestuar, i cili dyshohet për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.
Lidhur me këtë çështje, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për “Bota sot” paralajmëroi se ky hap mund të përdoret nga Beogradi për të justifikuar protesta apo edhe veprime të dhunshme në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

“Moscertifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës është një veprim jo i duhur në një kohë të ndjeshme, për shkak se ekziston rreziku që, pikërisht në këtë situatë kur Kosova është e ekspozuar ndaj një gjendjeje jo të sigurt, të justifikohen aktivitete të dhunshme të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo mund të bëhet duke përdorur subjektet politike, siç është në këtë rast Lista Serbe, e cila, siç e dimë, edhe nga e kaluara ka qenë subjekti më i madh i politikës serbe në Kosovë. Ky subjekt ka udhëhequr si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, çdo veprim i pakoordinuar me SHBA-në dhe BE-në rrezikon paqen, ndërsa protestat në mbështetje të Vuçiqit në veri mund të përshkallëzohen dhe të kthehen në kërcënim serioz për sigurinë në vend.
“Moscertifikimi në fjalë u jep arsye protestuesve dhe mbështetësve të aktiviteteve të dhunshme serbe të pretendojnë se Kosova, respektivisht Prishtina zyrtare, po minon të drejtat e komunitetit serb.
Çdo veprim që nuk është i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, sa i përket çështjes së pakicave në Kosovë, është një hap që mund të rrezikojë paqen.
Edhe protesta e paralajmëruar në mbështetje të presidentit të Serbisë në veri mund të shërbejë si një arsye shtesë për nisjen e aktiviteteve dhe protestave në Kosovë, të cilat më pas mund të dalin jashtë kontrollit, duke u shndërruar në një problem serioz të sigurisë në vend”, ka shpejguar ai.
Tutje, Elzi shpreson që të gjenden zgjidhje për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve.
“Prandaj, institucionet e Republikës së Kosovës – qoftë KQZ-ja, qoftë mekanizmat e tjerë që monitorojnë dhe mbështesin aktivitetet ndëretnike – duhet të analizojnë çdo veprim, pavarësisht nëse është teknikisht i ligjshëm apo jo, sepse shpeshherë edhe në përpjekje për zbatim të ligjit mund të krijohen situata të pasigurta, siç po ndodh tani me çështjen e Listës Serbe, që realisht mund të kthehet në një situatë të padëshiruar.
Shpresojmë që, pavarësisht faktit që Kosova – në këtë rast KQZ-ja – nuk ka certifikuar Listën Serbe, të gjenden mënyra që të parandalohet përshkallëzimi i situatës së sigurisë. Përndryshe, kjo mund të shërbejë si një justifikim i madh për Serbinë, e cila në çdo rast tenton që gjendjen e pasigurisë ta zhvendosë nga zhvillimet e brendshme në ato të jashtme.
Ky moment mund të jetë i përshtatshëm për Beogradin zyrtar që të zhvendosë vëmendjen nga dhuna dhe problemet e saj të brendshme, në drejtime të tjera, siç është Kosova, duke u thirrur gjithmonë në çështje që lidhen me nacionalizmin dhe të drejtat e komunitetit serb – përfshirë këtu edhe veriun e Mitrovicës”, ka përfunduar Elezi.
Burimi: botasot.info


