Kolindo Vjerdha kritikoi zvarritjen e masave për rregullimin e përdorimit të monopatinave, duke deklaruar se pas katër muajsh qytetarët ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe pronat e tyre vijojnë të mbahen të bllokuara.
“Duke e nisur që në gjenezë, ne kemi protestuar që në fillim, kur urdhri doli nga ministrja dhe më pas u pasua me një aksion të gjerë të policisë, duke parë një represion apo një shprehje të ashpër të angazhimit të policisë përsa i takon monopatinave.
Një pjesë e të rinjve apo përdoruesve, qytetarëve që përdornin monopatinat u shoqëruan në polici dhe pati një ndalim tërësor të tyre, me kushtin e vetëm se do të merreshin disa masa gjatë një periudhe një mujore dhe do të kishim rregullim të gjithë infrastrukturës së nevojshme që duhet për t’i vendosur nëpërdorim monopatinat.
Nuk kaloi një muaj, por kaluan thuajse 4 muaj dhe ende sot vazhdojmë të kemi po të njëjtën situatë, ku nuk ka asnjë hap tjetër të cilin Ministria e Brendshme ka marrë, sa i takon qoftë rregullimit ligjor por edhe krijimin e atyre që mund të jenë kushtet e nevojshme për përdorimin e monopatinave, duke vazhduar e duke e lënë këtë çështje pezull e duke vazhduar që qytetarët të kenë të mbajtura peng pronën e tyre, në drejtori apo polici e në seksionet e veçanta që janë për konfiskimin e monopatinave dhe ende sot nuk kemi asnjë përgjigje nga Ministria e Brendshme”, u shpreh Vjerdha.
Burimi: botasot.info


