Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e shoqëruar nga udhëheqësja e Divizionit për Arsim me Nevoja të Veçanta, Salihe Osmankaq kanë vizituar Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Mitrovicë, ku u pritën nga drejtori i qendrës, Skender Avdiu.
Qendra Burimore “Nënë Tereza” aktualisht ofron shërbime arsimore për 57 nxënës me dëmtime të rënda dhe të shumëfishta, duke luajtur rol të rëndësishëm në edukimin dhe përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Ministrja Nagavci theksoi se MAShTI do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të qëndrueshme institucionale dhe financiare për qendrat burimore, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve të mësimdhënies dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve arsimore për nxënësit me nevoja të veçanta.
Drejtori, Skender Avdiu theksoi se është ndërmarrë reformë e rëndësishme në këtë Qendër, përmes vendimit për ndryshimin e profileve arsimore në nivelin e mesëm të lartë.
Me këtë reformë, drejtimet ekzistuese me rrezikshmëri janë zëvendësuar me profile më të përshtatshme dhe më të sigurta: teknologji ushqimore (kuzhinë) dhe hortikulturë.
Në fund ministrja Nagavci theksoi se MAShTI mbetet e përkushtuar për të avancuar arsimin gjithëpërfshirës, duke siguruar profile arsimore të përshtatura, të sigurta dhe funksionale për nxënësit me nevoja të veçanta.
Burimi: botasot.info


