1
Shkup, 26 janar – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, pranon se edhe pse Ligji i ri për Shërbimin e Lartë Drejtues synon t’i japë fund abuzimit me institucionin e ushtruesit të detyrës, efektet e tij nuk do të jenë menjëherë të dukshme. Sipas zgjidhjes ligjore, drejtorët dhe drejtuesit e lartë aktualë, të emëruar para fillimit të zbatimit të ligjit, do të vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin deri në përfundimin e mandatit të tyre.
“Ky ligj është një zgjidhje sistemore që synon të parandalojë abuzimet e ardhshme, e jo të krijojë pasiguri juridike në mënyrë retroaktive. Nevojitet kohë për miratimin e akteve nënligjore, për harmonizimin e rreth 16 ligjeve të tjera dhe për përshtatjen institucionale. Zbatimi nuk do të fillojë brenda natës, por pasi të vendoset i gjithë sistemi, me ç’rast do t’i japim fund praktikës që drejtorët ushtrues detyre të jenë rregull dhe jo përjashtim”, deklaroi Minçev në emisionin “Top Tema”.
Minçev theksoi se reformat nuk mund të zbatohen përmes ndërprerjes retroaktive të mandateve, por përmes krijimit të një sistemi të ri që do të vlejë për emërimet e ardhshme, pas miratimit të akteve nënligjore dhe harmonizimit të ligjeve përkatëse.
Burimi: zhurnal.mk



