militantet serbe qe luftojne per putinin dhe po pergatiten per nje lufte te re ballkanike 694049040f401

​Militantët serbë që luftojnë për Putinin dhe po përgatiten për një luftë të re ballkanike

December 15, 2025
min lexim

Një brez i ri nacionalistësh etnikë serbë po përgatitet për një luftë në Bosnje, zbulon The Telegraph.

Qindra militantë kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar përkrah trupave ruse, me bindjen se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë duke i ndihmuar të rimarrin territore serbe të humbura, si Kosova.

Këta nacionalistë, përfshirë veteranë të Luftës së Bosnjës, po përdorin rrjetet sociale për të inkurajuar të rinjtë serbë t’u bashkohen në Rusi. Disa prej tyre po ofrojnë deri në 23 mijë paund për t’u regjistruar dhe për të luftuar në Ukrainë.

Ekziston frika se pasi të kthehen në Bosnje, ata mund të nxisin një konflikt paramilitar, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Bosnjës.

Dario Ristiq është një shembull tipik. Nacionalisti serb, duke çaluar mbi një këmbë proteze dhe duke mbajtur dëshmi të shtetësisë së sapofituar, u kthye në Bosnje. Ai ishte plagosur duke luftuar në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si “Ariu nga Permi”.

Gjatë qëndrimit në Ukrainë, Ristiq njihej me nofkën ironike “i shpejti” dhe ishte përfshirë në sulme me snajper dhe dronë në qytete si Avdiivka.

Ai zhvilloi aftësitë e tij në rrjetet sociale si TikTok dhe rrjeti rus Vkontakte, duke nxitur mbështetje nga të rinjtë serbë të pakënaqur politikisht në atdhe, përmes glorifikimit të luftës në vijën e frontit dhe përhapjes së mesazheve nacionaliste.

Njësia e tij ruse madje i dërgoi një kartolinë urimi për ditëlindje Ratko Mladiqit, kriminelit të luftës që po merr kujdes paliativ në Hagë, ku është dënuar me burgim të përjetshëm për mizoritë ndaj myslimanëve boshnjakë.

Në një video të publikuar në Telegram, Ristiq shfaqej pranë një serbi tjetër, i cili u drejtohej ndjekësve në atdhe: “Sapo të përfundojmë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për të rimarrë faltoret tona dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – drejt fitores!”

Pas kthimit në Bosnje, Ristiq u arrestua në aeroportin e Sarajevës për pjesëmarrje në një njësi paramilitare të huaj, por më pas u lirua nga burgu dhe u vendos në arrest shtëpie në pritje të përfundimit të gjyqit.

Kur The Telegraph e kontaktoi Risticin në shtëpinë e tij në Modriça, ai tha nga pragu i derës: “Do të doja të flisja me ju. Por ligji ma ndalon të flas, ndoshta në të ardhmen”.

Edhe tani, larg frontit, ai konsiderohet ende një rrezik i madh për rekrutim, me më shumë se 10 mijë ndjekës online.

Dhe ai nuk është i vetëm. Nacionalistë të tjerë serbë po përpiqen gjithashtu të përhapin mesazhet e tyre në internet.

Bëhet kryesisht fjalë për një grup të ngushtë veteranësh të Luftës së Bosnjës, të cilët vazhdojnë të ngulitin ideologji përçarëse tek të rinjtë.

Për të rinjtë e rritur në familje nacionaliste dhe që jetojnë në qytete si Modriça, me papunësi të lartë dhe paga deri në 500 paund në muaj, tundimi është i qartë. Ligjet në Serbi dhe Bosnje e ndalojnë luftimin për një fuqi të huaj, me dënime deri në pesë vjet burg, por zbatimi i tyre është i rrallë.

Kur u kontaktua nga The Telegraph përmes rrjeteve sociale, Zhelko Tomiq, mik i Ristiqit dhe ende në vijën e frontit në Ukrainë, tha se do të jepte intervistë vetëm kundrejt një pagese prej 100 mijë paundësh.

Në Modriça, ku punëdhënësi më i madh është një rafineri nafte në pronësi ruse, tashmë e goditur nga sanksionet, një banor lokal që e njihte Ristiqin tha se ai ishte mburrur me pensionin e invaliditetit si veteran që merr nga Moska dhe se planifikonte të përdorte një pjesë të parave për të hapur një qendër trajnimi dhe servis për dronë, duke shfrytëzuar njohuritë e fituara në front.

Kthimi i Ristiqit në jetën civile, megjithatë, nuk sjell shumë ngushëllim për pakicën myslimane boshnjake të qytetit. Jo larg shtëpisë së tij, thirrja e muezinit për falje jehonte nga një xhami e rindërtuar pas gjakderdhjes së luftërave të Bosnjës. Një nga besimtarët ishte Edib Ziliq, i cili i kishte përjetuar mizoritë si fëmijë.

“Isha vetëm 10 vjeç kur tanket hynë dhe babanë ma morën, ndërsa vëllai im gati u vra kur shtëpia e fqinjit, aty përballë, u hodh në erë”, tha Ziliq, 43 vjeç, duke treguar një zonë banimi përballë xhamisë.

“Në disa vende viktimat ende duhet të përballen me autorët, dhe edhe sot, pavarësisht miqësive të rindërtuara, ekziston një pakicë ekstremistësh që duan të na frikësojnë dhe të na kthejnë në ato kohë të errëta, por ne refuzojmë të jetojmë në frikë”.

Shqetësuese janë edhe shenjat e mundshme të përfshirjes shtetërore. Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Sërpska që ende ushtron pushtet real, është fotografuar me “Ujkun”, Davor Saviçiq, përpara një takimi me Vladimir Putinin në Moskë më herët këtë vit.

Ekziston gjithashtu frika se trajnimi paramilitar në këtë enklavë të mbështetur nga Rusia mund të ndikojë në sigurinë britanike. Ashtu siç Gjermania Lindore ishte dikur terren trajnimi për IRA-n dhe Fraksionin e Ushtrisë së Kuqe, ka shqetësime se Republika Sërpska mund të ndjekë një rrugë të ngjashme. Dëshmitë nga një gjyq ndaj sabotatorëve në Moldavi kanë zbuluar se ajo është përdorur së fundmi si bazë trajnimi për luftë hibride të mbështetur nga Rusia kundër Perëndimit.

Trajnimet përfshinin metoda për shndërrimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme, si dhe përdorimin e dronëve të armatosur dhe të paarmatosur për të ndërprerë infrastrukturën civile dhe ushtarake. Të njëjtat metoda janë përdorur tashmë në aeroporte dhe objekte të ndjeshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në gjithë Evropën, disa prej të cilave përfshinin sabotatorë moldavë, të cilët dyshohet se janë trajnuar në enklavën serbe.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

kosova nen masa franca e italia akuzohen per standard te dyfishte 694048bfb5d76
Lajmi i mëparshëm

Kosova nën masa, Franca e Italia akuzohen për standard të dyfishtë

sulm kibernetik ne bundestag pajisjet dhe sherbimet e parlamentit gjerman ndaluan se punuari gjate vizites se zelenskyt 69404a8690894
Lajmi i radhës

Sulm kibernetik në Bundestag? Pajisjet dhe shërbimet e parlamentit gjerman ndaluan së punuari gjatë vizitës së Zelenskyt

Të fundit nga

​Ngjarjet e datës 16 dhjetor

Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të projektit – Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), mban konferencë me temën “Avancimi e
ShkoLartë