miliarderi michael bloomberg martohet ne moshen 84 vjecare me diana taylor pas 26 vitesh lidhje 6af2ee3242102

Miliarderi Michael Bloomberg martohet në moshën 84-vjeçare me Diana Taylor pas 26 vitesh lidhje

November 10, 2026
min lexim

Pas 26 vitesh së bashku, biznesmeni miliarder dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, u martua me Diana Taylor, në moshën 84-vjeçare.

Dasma u zhvillua të hënën (9 nëntor), në një ceremoni të thjeshtë dhe private në banesën e çiftit në Upper East Side të Manhatanit, në prani të një numri të vogël familjarësh dhe miqsh të afërt.

“Njëzet e gjashtë vjet pasi u njohën rastësisht, duke u ulur pranë njëri-tjetrit, Mike Bloomberg dhe Diana Taylor u martuan”, thuhej në një deklaratë të zëdhënësit të ish-kryebashkiakut.

Ai sqaroi se çifti shkëmbeu betimet martesore në shtëpinë e tyre, me praninë e familjarëve, mes tyre edhe dy vajzat e Bloombergut, Emma dhe Georgina.

Pas ceremonisë u organizua një drekë me rreth 12 të ftuar, të gjithë pjesëtarë të rrethit të ngushtë familjar dhe shoqëror të çiftit.

Zëdhënësi nuk zbuloi se çfarë i shtyu Bloombergun dhe Taylor të vendosnin ta zyrtarizonin lidhjen e tyre pas kaq shumë vitesh.

Nga martesa e parë te jeta si beqar

Sipas New York Times, për Michael Bloomberg kjo është martesa e tij e dytë.

Themeluesi i grupit të njohur të biznesit që mban emrin e tij ishte martuar në vitin 1976 me Susan Brown, me të cilën pati dy vajza, përpara se çifti të divorcohej në vitin 1993.

Biznesmeni, i cili ka shërbyer si kryebashkiak i Nju Jorkut për tri mandate radhazi dhe që në vitin 2020 tentoi pa sukses të siguronte kandidaturën e Partisë Demokratike për president të SHBA-së, kishte krijuar prej vitesh imazhin e një beqari të përjetshëm.

Madje, shumë prej njerëzve që e njihnin personalisht e konsideronin pak të mundshme që ai të vendoste të martohej sërish.

Përpara se të njihte Diana Taylor, ai e kishte përshkruar jetën e tij me një humor karakteristik si “një miliarder beqar, heteroseksual, në Manhatan”.

Megjithatë, njohja me partneren e tij të ardhshme do të shndërrohej në një nga marrëdhëniet më të qëndrueshme të jetës së tij personale.

Kush është Diana Taylor?

Diana Taylor, 71 vjeçe, e cila gjithashtu ka qenë e martuar më parë, ka ndërtuar një karrierë të rëndësishme profesionale në Nju Jork, duke u angazhuar si në sektorin financiar, ashtu edhe në administratën publike.

Gjatë kohës kur Bloomberg ishte kryebashkiak, ajo shërbeu si drejtuese e autoritetit mbikëqyrës bankar të shtetit të Nju Jorkut, gjatë mandatit të guvernatorit George Pataki.

Gjithashtu, ajo e shoqëronte shpesh partnerin e saj në aktivitetet zyrtare të qytetit, duke marrë përsipër në praktikë shumë prej detyrimeve publike që tradicionalisht lidhen me rolin e bashkëshortes së kryebashkiakut, pa hequr dorë nga karriera e saj profesionale.

Në vitin 2021, ajo mori detyrën e kryetares së bordit drejtues të New York City Ballet.

Ata ishin njohur rastësisht, kur u ulën pranë njëri-tjetrit gjatë një mbledhjeje të Citizens Budget Commission, në një periudhë kur Bloomberg po përgatitej të kandidonte për kryebashkiak të Nju Jorkut.

Marrëdhënia e tyre shumëvjeçare nuk ka qenë pa mosmarrëveshje të vogla të përditshme. Taylor ka treguar në të kaluarën një histori domethënëse që kishte ndodhur gjatë Krishtlindjeve të vitit 2007.

Atë vit, ajo vendosi t’i bënte një dhuratë të pazakontë: një fotografi me dy këlyshë Labrador, të cilët dëshironte t’i merrnin në shtëpi.

“Ai e pa fotografinë, pastaj më pa mua dhe më tha: ‘Nuk kam zgjidhje tjetër, apo jo?’”, kishte treguar ajo disa vite më vonë.

“Dhe unë iu përgjigja: ‘Ke zgjedhje, por zgjedhjet kanë pasoja’”.

Në fund, Bloomberg pranoi që qentë të vinin në shtëpinë e tyre, por vendosi një kusht: përgjegjësinë për kujdesin ndaj tyre do ta merrte përsipër Taylor.

Diana Taylor qëndroi publikisht në krah të Bloombergut edhe gjatë fushatës së tij për kandidaturën presidenciale të demokratëve në vitin 2020, kur biznesmeni u përball me kritika të forta për komentet nënçmuese që kishte bërë në të kaluarën për gratë.

Në një nga zyrat elektorale të fushatës së tij në Kaliforni, mbështetësve u kërkohej të shkruanin në letra ngjitëse arsyet pse mendonin se Bloomberg ishte i përshtatshëm për presidencën.

Taylor dha përgjigjen e saj duke shkruar:

“Më pëlqen Mike, sepse e dua Mike-un”.

Prania në politikë

Pavarësisht largimit nga posti i kryebashkiakut të Nju Jorkut dhe përpjekjes së pasuksesshme për të fituar presidencën, Bloomberg vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në skenën politike amerikane, kryesisht përmes mbështetjes financiare që u jep kandidatëve dhe nismave politike.

Gjatë karrierës së tij politike, ai ka ndryshuar disa herë përkatësinë partiake, duke kaluar nga demokratët te republikanët, më pas si i pavarur dhe në fund duke iu rikthyer Partisë Demokratike.

Vetëm muajin e kaluar, bashkëpunëtorët e tij bënë të ditur se ai kishte dhuruar rreth 80 milionë dollarë gjatë muajve shtator dhe tetor për të mbështetur demokratët në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Kjo e rendit atë ndër financuesit më të mëdhenj të njohur të Partisë Demokratike në këtë cikël zgjedhor.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

lsdm shtrenjtime paga te uleta dhe borxhe ne rritje qytetaret perballen me kosto gjithnje me te larta 6af2ee2db9077
Lajmi i mëparshëm

LSDM: Shtrenjtime, paga të ulëta dhe borxhe në rritje – qytetarët përballen me kosto gjithnjë më të larta

Të fundit nga

ShkoLartë