mickoski nuk ka probleme me fondin pensional dhe pagesen e pensioneve 6ae3df960d313

Mickoski: Nuk ka probleme me fondin pensional dhe pagesën e pensioneve

October 30, 2026
min lexim

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk ka probleme me qëndrueshmërinë e fondit pensional dhe pagesën e pensioneve. Megjithatë, sipas tij, duhet të shqyrtohen mundësitë për të parandaluar probleme të mundshme në të ardhmen, veçanërisht për shkak se reforma e zbatuar në sistemin pensional, me futjen e shtyllës së dytë të detyrueshme, nuk i ka dhënë rezultatet e pritura.

Siç theksoi Mickoski, kjo ndodh kryesisht për shkak se shoqëritë që menaxhojnë paratë e shtyllës së dytë nuk kanë arritur të sigurojnë kthime të mjaftueshme për pagesa më të larta të një pjese të pensioneve nga kjo shtyllë.

Një nga mundësitë që po shqyrtohet është që qytetarëve t’u lihet e drejta të zgjedhin nëse duan të ndajnë mjete edhe në shtyllën e dytë apo të mbeten vetëm në shtyllën e parë, përkatësisht në fondin shtetëror. Megjithatë, për këtë, sipas Mickoskit, nevojitet një debat publik me ekspertët.

Ai tha se do të ndërmarrë gjithçka që është e nevojshme nëse kjo është në interes të qytetarëve, pavarësisht çmimit politik.

“Çmimi politik nuk ka qenë kurrë prioriteti im. Në fund të ditës, nëse mendojmë se diçka është e mirë për shtetin, jemi të gatshëm të paguajmë çfarëdo çmimi politik”, deklaroi Mickoski në televizionin Kanal 5.

Sipas tij, problemi është krijuar me miratimin e ligjit për shtyllën e dytë të detyrueshme pensionale, në të cilën, sipas disa vlerësimeve, janë grumbulluar rreth 2.5 miliardë euro, e ndoshta edhe 3 miliardë euro.

“Problemi më i madh është se, kur u miratua ligji, u përcaktuan normat e kthimit që duhej të siguroheshin nga shtylla e dytë e detyrueshme pensionale, por ato nuk janë arritur. Shoqëritë që menaxhojnë paratë e qytetarëve, me politikat e tyre të biznesit, nuk arrijnë të sigurojnë kthimet e parashikuara. Nuk flasim për kthime dyshifrore, por për rreth 5 për qind, ndërsa tani, për fat të keq, ato janë tri herë më të ulëta, ose rreth 1.5 për qind”, tha Mickoski.

Ai theksoi se Qeveria po analizon se çfarë duhet të ndërmerret më tej dhe dëshiron që për këtë çështje të zhvillohet debat publik, ku do të dëgjohen mendimet e ekspertëve dhe të personave që merren me këtë fushë.

Mickoski përmendi se në disa vende të Bashkimit Evropian janë zbatuar zgjidhje të ndryshme, duke përfshirë shtetëzimin e plotë të shtyllës së dytë pensionale në disa vende të Evropës Qendrore, si dhe kalimin drejt një sistemi vetëm me shtyllë shtetërore në disa vende skandinave.

Megjithatë, sipas tij, Qeveria po shqyrton mundësinë që zgjedhja t’u lihet vetë qytetarëve, të cilët do të vendosnin nëse do të kontribuonin në të dyja shtyllat pensionale apo vetëm në fondin shtetëror.

Burimi:TV21

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

auv konfiskoi rreth 2 tone mish te pasigurt per konsum 6ae3c580e8f3c
Lajmi i mëparshëm

AUV konfiskoi rreth 2 tonë mish të pasigurt për konsum

deputetet perleshen me grushte ne parlamentin e armenise seanca nderpritet pas kaosit 6ae3e080ecac8
Lajmi i radhës

Deputetët përleshen me grushte në Parlamentin e Armenisë, seanca ndërpritet pas kaosit

Të fundit nga

ShkoLartë