4
Shkup, 21 korrik – Kryeministri, Hristijan Mickoski deklaroi se një rezolutë e përbashkët me Bullgarinë në Parlamentin Evropian, në të cilën do të konfirmohet veçantia e identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase, do të ishte një shembull për të dy vendet që të tregojnë se çfarë do të thotë fqinjësi e mirë dhe mbështetje e ndërsjellë.
Nuk u përgjigj nëse ka pasur përgjigje nga Sofja zyrtare ndaj propozimit të tij për një rezolutë të përbashkët, por theksoi se ajo që propozoi ishte “një përgjigje ndaj temës së hapur nga presidenti bullgar Rumen Radev” dhe deklarata e tij se kushti i vetëm ishte ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e qytetarëve maqedonas që deklarohen si pjesëtarë të komunitetit bullgar.
“Prandaj thashë – në rregull, nëse ky është kushti i vetëm, këtu, para se të arrijmë te ai kusht, le ta përmbushim së bashku, përmes eurodeputetëve bullgarë, të propozojmë një rezolutë me të cilën së bashku, si fqinjë, do të konfirmojmë identitetin unik maqedonas, gjuhën unike maqedonase. Dhe pastaj, në shenjë të vullnetit të mirë, shteti bullgar duhet të zbatojë vendimet e Strasburgut”, të cilat i referohen të drejtave të njeriut të mohuara maqedonasve në Bullgari, dhe më në fund të regjistrojë “OMO Ilinden Pirin”, në mënyrë që “OMO Ilinden Pirin” të mund të propozojë përfaqësuesin e saj në Këshillin e ministrave për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Bullgari. Ja, le ta bëjmë këtë së bashku, si fqinjë të mirë. Ne kemi detyrimin tonë, ata kanë detyrimin e tyre”, deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske gjatë një vizite në Tetovë.
Sipas kryeministrit, kjo është mënyra “që të tregojmë çka do të thotë fqinj të mirë dhe çka do të thotë të mbështetemi”.
Shtoi se kjo “në të vërtetë është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar nga Zaev dhe Borisov në gusht të vitit 2017”.
Burimi: zhurnal.mk


