Kryeministri Hristijan Mickoski ka mbrojtur ndryshimet në Ligjin për Prokurime Publike, përmes të cilave pragu për furnizimet me negocim të drejtpërdrejtë, pa shpallje publike, është rritur nga 5.000 në 10.000 euro. Ai pretendon se disa shoqëri avokatësh dhe kompani merren vesh qëllimisht për të dështuar procedurat e tenderimit, në mënyrë që më pas të përfitojnë financiarisht nga procedurat dhe ankesat.
„Kemi shoqëri avokatësh dhe kompani që fitojnë duke u marrë vesh qëllimisht për të dështuar tenderët publikë. Dhe pikërisht bëhet fjalë për tenderë të tillë, për të cilët tani pragu është rritur nga 5.000 në 10.000 euro”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, ndryshimet synojnë të parandalojnë situatat kur institucionet shpenzojnë më shumë para për procedurat dhe ankesat sesa për vetë furnizimet. Ai hodhi poshtë shqetësimet se rritja e pragut mund të krijojë hapësirë për keqpërdorime dhe marrëveshje paraprake gjatë përzgjedhjes së ofertuesve, duke pretenduar se procedurat ligjore dhe kontrollet nuk e lejojnë një gjë të tillë.
Mickoski pranoi se Qeveria ka bërë gabim në pjesën e ligjit që parasheh mandat të pakufizuar për anëtarët e komisionit, duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të numrit të kufizuar të ekspertëve në fushën e prokurimeve publike. Ai gjithashtu kritikoi ekspertët dhe organizatat joqeveritare që kanë ngritur shqetësime për uljen e transparencës dhe mundësitë për keqpërdorime./TV21
Burimi:TV21


