Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka shprehur vlerësim dhe mirënjohje për ambasadorin e Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoy, me rastin e përmbylljes së misionit të tij diplomatik në vend.
Mexhiti, përmes një njoftimi, theksoi kontributin e ambasadorit Ulusoy në avancimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
“Me rastin e përmbylljes së misionit diplomatik të Ambasadorit të Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoy, shprehim vlerësimin dhe mirënjohjen tonë për kontributin e tij të çmuar gjatë mandatit në vendin tonë”, ka deklaruar Mexhiti.
Sipas tij, qasja e ambasadorit Ulusoy ka ndihmuar në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Me qasjen e tij të hapur, miqësore dhe konstruktive, Ambasadori Ulusoy ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit dhe në forcimin e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve tona”, theksoi Mexhiti.
Bashkëkryetari i VLEN-it e ka falënderuar ambasadorin turk për bashkëpunimin gjatë mandatit, duke i uruar sukses në angazhimet e ardhshme.
“E falënderojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe korrektësinë që e ka karakterizuar gjatë gjithë misionit të tij diplomatik, duke i uruar shumë suksese në angazhimet e ardhshme”, u shpreh Mexhiti.
Në fund, ai nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar se miqësia ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë do të vazhdojë të forcohet.
“Miqësia ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë mbetet një urë e fortë që do të vazhdojmë ta ndërtojmë dhe ta fuqizojmë së bashku”, deklaroi Mexhiti.
Burimi: alfax.mk


