Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, gjatë fjalimit me rastin e llogaridhënies për 1 vjetorin e qeverisë VLEN, theksoi se shqiptarët për herë të parë po shohin qeverisje me vepra, jo me premtime boshe.
“Një vit më parë, morëm përsipër një detyrë të madhe dhe një përgjegjësi edhe më të madhe: ta kthenim politikën shqiptare nga një mjet për privilegje personale në një instrument që sjell dinjitet dhe zhvillim për çdo qytetar, për çdo shqiptar,” ka theksuar Mexhiti.
Ai gjithashtu k potencuar se pas një viti në qeveri, VLEN po prezanton fakte dhe rezultate konkrete.
“Në vetëm një vit, krahas projekteve madhore, kemi ndërtuar drejtësi. Krahas investimeve, kemi rikthyer besimin. Nuk përmbyllëm vitin vetëm me fjalë të bukura, por me vepra konkrete,” deklaroi Mexhiti, duke shtuar se qeverisja e vërtetë ka fuqinë për të transformuar jetën e çdo qytetari.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i parë tha se janë hapur mijëra vende të reja pune me perspektivë dhe dinjitet për qytetarët. Ai theksoi se janë investuar 40 milionë euro për vetëpunësim, një mundësi konkrete për të rinjtë, gratë dhe të gjithë ata që duan të krijojnë, duke dëshmuar se politika kur është në duar të përgjegjshme mund të sjellë ndryshime të prekshme për çdo familje shqiptare.


