Njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN dhe njëherësh kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një intervistë për TV21, ka dhënë një pasqyrë të qartë të dinamikës së re politike pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se forca e VLEN-it po rritet çdo ditë, ndërsa kampi opozitar i BDI-së po shembet nga brenda.
Sipas Mexhitit, rezultatet zgjedhore kanë zbuluar se shpresa brenda strukturave të vjetra ka vdekur dhe se një pjesë e konsiderueshme e tyre tashmë po i bashkohen VLEN-it.
“Secila komunë ka specifikat e veta, diku jemi në balotazh me VMRO, diku me AKI; në Dibër kemi përballë një kandidat të pavarur, ndërsa në Dollnen me VMRO. Në AKI, pas largimit të Taravarit, kanë menduar se e kanë situatën nën kontroll, por zgjedhjet treguan të kundërtën”, tha Mexhiti.
Në këtë frymë, Mexhiti ka theksuar se ajo që po ndodh në terren nuk është më thjesht humbje elektorale për BDI-në e shndërruar tashmë në opozitë, por një rënkim i ngadaltë i një strukture që për dy dekada jetoi mbi iluzione dhe frikë.
“Ka filluar një pjesë e mirë e atyre që ishin në AKI të lëvizin drejt VLEN-it. Ka komunikime të hapura, njerëzit e kanë kuptuar se ndryshimi i vërtetë është këtu. Në bazë të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, pres që AKI të shpërbëhet dhe të lindin lëvizje të reja”, ka deklaruar Mexhiti.
Sipas Mexhitit, zhvillimet e fundit në terren konfirmojnë se strukturat e vjetra të BDI-së po lëkunden, ndërsa energjia e re e VLEN-it po tërheq ish-aktivistë, këshilltarë e drejtues lokal që kanë humbur durimin me stagnimin dhe arrogancën politike të AKI-së.


