Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm nga takimi me koordinatorët e Shtabit Zgjedhor, ku ka theksuar se fitorja e VLEN-it nuk është çështje rasti, por rezultat i organizimit të hekurt dhe energjisë së pathyeshme të aktivistëve.
“Shtabi është motori që ndez fitoren e VLEN. Çdo strategji, çdo veprim dhe çdo hap i fushatës ndërtohet falë koordinatorëve dhe aktivistëve që e bëjnë këtë lëvizje të pathyeshme,” ka thënë Mexhiti, duke theksuar se fushata ka një energji të gjallë që e kthen çdo ide në veprim dhe çdo veprim në fitore.
Mexhiti gjithashtu ka nënvizuar se VLEN-i është forca që bashkon njerëzit dhe u jep zë qytetarëve të Çairit, nga planifikimi strategjik deri tek dera e çdo shtëpie ku aktivistët përhapin mesazhin e besueshmërisë dhe përfaqësimit të vërtetë.
“Kjo është forca jonë, kjo është rruga drejt fitores së sigurt,” ka thënë më tej Mexhiti, duke e cilësuar VLEN-in si garancinë e ndryshimit dhe fitores historike në Çair.



