Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka pritur në takim dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe përfaqësuesit e Programit Studimor Sport dhe Shkenca Sportive të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, me të cilët ka diskutuar iniciativën për organizimin e Universiadës Mbarëkombëtare – Çair 2026, në kuadër të Festave të Nëntorit.
Iniciativa synon që Shkupi, me Çairin në qendër të organizimit, të bëhet vendtakim i studentëve dhe universiteteve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Përmes garave dhe aktiviteteve sportive, parashihet krijimi i një platforme të përbashkët për promovimin e talenteve të reja, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.
“Festat e Nëntorit na bashkojnë përmes historisë, gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar. Këtë vit synojmë t’u japim një dimension të ri, duke e shndërruar Shkupin në qendër të Universiadës Mbarëkombëtare Shqiptare. Duam që studentët nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria të takohen në Çair, të garojnë, të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërtojnë miqësi. Ambicia jonë është të krijojmë një traditë të përvitshme universitare, ku sporti do të shërbejë si urë bashkëpunimi dhe zhvillimi për të rinjtë tanë”, deklaroi Mexhiti.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e partneritetit me Universitetin “Nënë Tereza”, si një institucion kyç në zhvillimin e kësaj iniciative. Organizimi i Universiadës synon të zgjerojë mundësitë për angazhimin e studentëve në jetën sportive dhe shoqërore, si dhe të krijojë lidhje të qëndrueshme ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në hapësirën shqiptare.

