Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti, realizoi një vizitë pune në Laboratorin Qendror të Ministrisë së mjedisit, ku prezantoi të arriturat më të fundit në përmirësimin e monitorimit të ndotjes mjedisore në vend.
Në këtë ngjarje, Mexhiti theksoi se laboratori ka përfunduar me sukses procesin e reakreditimit dhe ka siguruar një certifikatë të re katërvjeçare që mbulon 20 metoda analitike, përfshirë matjen e zhurmës ambientale dhe analizat e ujërave të ndotura.
‘Si pjesë e projektit “EU for Clean Air”, laboratori është pajisur me aparaturë të avancuar ICP-MS në vlerë prej 160,000 euro, e financuar nga UNOPS-i, që do të mundësojë analizimin preciz të metaleve të rënda në tokë, ujë dhe ajër’, deklaroi Mexhiti.
Ministri Mexhiti njoftoi se instalimi i aparaturës dhe trajnimi i stafit do të realizohen në shtator, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve teknike dhe përmirësimit të cilësisë së të dhënave mjedisore.
Laboratori Qendror i Ministrisë së Mjedisit Jetësor është kyç në sistemin e mbrojtjes dhe menaxhimit të mjedisit në vend dhe shërben si një institucion teknik dhe shkencor në realizimin e detyrave ligjore dhe strategjike për monitorimin e ndotjes dhe mbrojtjen e komponentëve mjedisorë.


