Në intervistën ekskluzive për “Euronews Albania”, kryetari i Komunës së Çairit dhe Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, u pyet nga gazetari Thimi Samarxhiu nëse e sheh veten më shumë si kryetar komune apo si pjesë e qeverisë qendrore.
Gazetari vuri në dukje suksesin e tij në nivel lokal, duke e cilësuar postin e kryetarit të komunës si më natyrshëm të përshtatshëm për Mexhitin.
Në përgjigjen e tij, Mexhiti theksoi se përkushtimi i tij mbetet te qytetari, pavarësisht pozitës që mban dhe se prioritet i qeverisë së VLEN-it është vazhdimi i mbështetjes për komunat dhe fuqizimi i pushtetit lokal.
“Qeveria duhet të vazhdojë me përkrahjen e komunave dhe fuqizimin e tyre, sepse edhe Marrëveshja e Ohrit shtyllën kryesore e ka decentralizimin, që është pjesë përbërëse e Kushtetutës së RMV-së. Komunat janë pushteti më i afërt me qytetarin,” ka theksuar Mexhiti.
Mexhiti gjithashtu ka shtuar se do të vazhdojë të realizojë programin për Çairin, por njëkohësisht do të mbajë përgjegjësinë si një nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, duke garantuar që qeveria të qëndrojë në drejtim të reformave, transparencës dhe qeverisjes pa afera korruptive.
“Qeveria duhet të vazhdojë në këtë formë, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, me integritet, me decentralizim dhe pa korrupsion,” ka përfunduar Mexhiti.


