Komuna e Çairit ka nisur një fazë të re modernizimi në shkollat fillore, duke filluar me Shkollën Fillore “Liria”, e cila sot u pajis me 200 banka moderne dhe 400 karrige ergonomike, të përshtatshme për moshat dhe gjatësitë e ndryshme të nxënësve. Pajisje të njëjta u vendosën edhe në Shkollën “Hasan Prishtina”, ku në të dy institucionet shkollore do të rregullohen gjithsej gjashtë kabinete mësimore me inventar të ri.
Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njëkohësisht edhe njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, falënderoi kompaninë “Eftinija Impex” për donacionin, i cili vjen në kuadër të festave të nëntorit, përfshirë edhe Ditën e Alfabetit Shqip.
Mexhiti gjithashtu tha se ky është vetëm hapi i parë drejt një transformimi të plotë të ambienteve shkollore në Çair, duke theksuar se brenda një viti synohet që të gjitha shkollat fillore të pajisen me banka dhe karrige të standardit të ri. Mexhiti falënderoi gjithashtu drejtoreshën e Shkollës Fillore “Liria”, Teuta Idrizi, për bashkëpunimin dhe mbështetjen.
“Ky është vetëm fillimi”, u shpreh Mexhiti, duke premtuar se standardet e reja të mobilimit do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe në mirëqenien e nxënësve.


