Në një intervistë për televizionin A2 CNN, Izet Mexhiti komentoi akuzat dhe debatet lidhur me takimet e mundshme të Bujar Osmani me ish-kryeministrin në arrati, Nikola Gruevski.
Sipas Mexhitit, Osmani i pranoi në mënyrë indirekte këto takime, duke i cilësuar si informata me karakter të lartë sigurie nga koha kur ishte ministër i Jashtëm.
“Takimi me [Aleksandar] Vulin është lajm i rremë. As nuk e kam takuar, as nuk e takoj dhe as nuk e njoh e as nuk dua ta njoh. E ftova Osmanin të zgjedhë mediumin dhe të përballemi në duel për të dëshmuar punën e Vulinit dhe takimet e tij me Gruevskin në Budapest gjatë udhëtimit të tij me familjen”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas informatave që posedon, vetura e Ali Ahmetit është ndaluar në stacionin policor në Karposh gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet, për të verifikuar dyshimet se me të është transportuar Gruevski drejt kufirit me Shqipërinë.
“Këto janë përgjigje për temat që i hapin ata, por fokusi ynë mbeten zgjedhjet lokale”, sqaroi Mexhiti.


