“Për herë të parë në historinë pluraliste të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët nga provinienca të ndryshme politike, të djathtë e të majtë, të ri e me përvojë, po bashkohen në një front të përbashkët politik, në VLEN”, ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Mexhiti thekson se ky bashkim është përgjigjja më e mirë ndaj, siç shprehet, përçarjes së votës shqiptare ndër vite dhe se kjo paraqet fundin e politikës së përçarjes dhe fillimin e një epoke të re të fuqisë politike shqiptare.
Sipas Mexhitit, nuk duhet të ketë më hapësirë për interesa të ngushta, pazare në kurriz të qytetarëve apo politika që mbajnë të ndarë faktorin politik shqiptar, duke shtuar se zëri shqiptar duhet të jetë një, i fortë dhe i qartë.
Ai më tej thekson se ky është një moment i rëndësishëm politik dhe se koalicioni VLEN përfaqëson bashkimin që, sipas tij, nuk ndalet, sepse kur shqiptarët bashkohen, askush nuk mund t’i ndal.


