Sot, Izet Mexhiti ka pranuar zyrtarisht detyrën si Kryetar i Komunës së Çairit, duke shënuar rikthimin e tij në krye të një prej komunave më të rëndësishme të Shkupit dhe njëherësh vendlindjen e rrugëtimit të tij politik e publik.
Në fjalën e tij me rastin e marrjes së detyrës, kryetari Mexhiti theksoi se ky rikthim për të përfaqëson një ndjenjë nderi dhe përgjegjësie të thellë ndaj qytetarëve të Çairit që i besuan me një fitore të pakontestueshme në zgjedhjet e fundit lokale.
“Nga sot po rikthehem në vendin tim, mes njerëzve të mi, me nder, me përulësi dhe me mirënjohje të thellë. Çairi më ka mbështetur gjithmonë dhe këtë herë më dha një mandat të fortë, një besim që do ta kthej në punë të ndershme, rezultate konkrete dhe një qeverisje që njeh vetëm interesin publik,” ka theksuar Mexhiti.
Ai gjithashtu ka thënë se Çairi është pjesë e identitetit të tij, pjesë e historisë së tij personale dhe misionit të tij publik, duke theksuar se çdo arritje që do të vijë do të mbajë vulën e qytetarëve që nuk u dorëzuan asnjëherë.
“Përpara nesh qëndron një kapitull i ri. Do të punojmë me plan të qartë, me transparencë dhe me guxim për të bërë ndryshime të mëdha. Kam besim te njerëzit e Çairit, te energjia, te talenti dhe te dashuria e tyre për këtë vend. Nga sot fillon puna për Çairin që duam, nga sot fillon koha jonë!”, ka deklaruar më tej kryetari Mexhiti.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhit u zotua për një mandat me qeverisje të hapur, bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe përkushtim ndaj zhvillimit urban, ekonomik e shoqëror të komunës, duke i dhënë prioritet transparencës, efikasitetit dhe përfshirjes qytetare në çdo proces vendimmarrës.


