Koalicioni qeverisës VLEN, sonte hapi shtabin e ri zgjedhor në nëndegën “7 Marsi” në Serovë. Hapja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe aktivistëve, të cilët e shndërruan ngjarjen në një manifestim entuziazmi e besimi për fitoren e 19 tetorit.
Sipas zëvendëskryeministrit të parë dhe kandidatit për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ky shtab do të shërbejë si qendër bashkëpunimi dhe komunikimi me qytetarët, ku idetë dhe energjia e tyre do të kthehen në veprime konkrete politike.
“Ky shtab është hapësira ku merr formë vizioni për të ardhmen e shqiptarëve dhe ku ndërtohet besimi i ndërsjellë për ndryshimin që tashmë ka nisur,” theksoi Mexhiti.
Mexhiti vlerëson se hapja e shtabeve të reja është dëshmi e organizimit dhe përkushtimit ndaj qytetarëve, duke garantuar një politikë të drejtë, të ndershme dhe në shërbim të njerëzve.
Me këtë rast Mexhiti bëri thirrje për unitet dhe bashkëpunim, me mesazhin se “fitorja, kur është e përbashkët, vlen më shumë”.


