Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në kuadër të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, qëndroi sot në Dollnen, ku zhvilloi takime me banorët e Dollnenit, Debreshtit dhe Zhitoshës, së bashku me kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi dhe Zeqirija Ibrahimin.
Në takimet e mbajtura, Mexhiti theksoi se fuqia e bashkimit dhe besimi i qytetarëve po e bëjnë të prekshëm ndryshimin që po vjen në këtë komunë.
Ai theksoi se VLEN po sjell një frymë të re në politikën lokale, një qeverisje që mbështetet në zhvillim, ndershmëri dhe drejtësi.
“Kandidati ynë për kryetar komune, Blerim Islami, është garancia e këtij ndryshimi të vërtetë. Ai përfaqëson energjinë e re, përkushtimin e palodhur dhe dëshirën për t’i shërbyer qytetarëve me përgjegjësi e transparencë”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se vizioni i koalicionit është i qartë: një komunë që punon për çdo fshat, për çdo familje, me zhvillim të barabartë dhe projekte konkrete që përmirësojnë jetën e njerëzve.
“Me 2 nëntor, qytetarët e Dollnenit do të votojnë për të ardhmen, për punën dhe për bashkimin. Sepse kur jemi bashkë, asgjë nuk na ndal”, theksoi ndër të tjera Mexhiti.


