Zëvendëskryeministri i parë dhe lideri i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka akuzuar kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, për fushatë të qëllimshme nacionaliste dhe antishqiptare. Në një intervistë përballë gazetarit Aleksandar Vidinovski në Kanal 5, Mexhiti theksoi se veprimet e fundit të Arsovskës synojnë stigmatizimin e shqiptarëve dhe janë duke u bërë me ndihmën e deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti.
“E kujtoj kryetaren Arsovska se shfaqjet e saj të njëanshme vetëm në Çair dhe prezantimi i ndërtimeve pa leje vetëm në këtë pjesë të qytetit lë shumë hapësirë për dyshime mbi qëllimet e saj,” deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se Çairi renditet vetëm i gjashti ndër komunat e Shkupit për nga numri i ndërtimeve pa leje dhe nëse vërtet shqetësimi i Arsovskës do të ishte real, ajo do të vepronte edhe në komunat e tjera problematike si Saraji, ku, sipas Mexhitit, kontrollin e ka pikërisht partneri i saj politik, Blerim Bexheti.


