Në intervistën ekskluzive për “Euronews Albania”, kryetari i Komunës së Çairit dhe aktualisht Zëvendëskryeministër i Parë, Izet Mexhiti ka dhënë një mesazh të qartë dhe me tone përbashkuese për ish bashkëpartiakët e tij në BDI, duke shprehur keqardhje për rrugën që ka marrë kjo parti.
Gazetari Thimi Samarxhiu e pyeti se çfarë mesazhi kishte për miqtë e tij të dikurshëm dhe cili është parashikimi i tij për të ardhmen e BDI-së.
Në përgjigjen e tij, Mexhiti foli me maturi politike, duke theksuar se ndarja e tij nga BDI nuk ka qenë personale, por ideologjike sepse ajo forcë politike, sipas tij, ka humbur frymën e dikurshme të bashkimit dhe idealizmit.
“Më vjen keq, që nga fillimi kam qenë pjesë e BDI-së dhe tash nuk mund ta njoh atë parti politike të dikurshme. BDI-ja e sotme është tërësisht e tjetërsuar. Uroj të jem gabim, por ajo është nisur rrugës së PPD-së së dikurshme,” – deklaroi Mexhiti.
Mexhiti gjithadhtu ka drklaruar se koalicioni qeverisës VLEN është shtëpia e vlerave të vërteta politike shqiptare dhe mbetet e hapur për të gjithë ata që besojnë në reformë, punë, meritokraci dhe përfaqësim të ndershëm.
“Ju bëj thirrje atyre që i kanë besuar idealit, të mos mbeten peng të Bujar Osmanit, Artan Grubit e të atyre që nuk kanë të bëjnë me BDI-në. Ata e kanë derën hapur në VLEN,” ka përfunduar Mexhiti, duke dhënë një mesazh bashkimi dhe shprese për të gjithë ata që duan ndryshim real në politikën shqiptare.


