Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, inspektoi sot nga afër punimet në ndërtimin e pishinës së re shkollore në Lagjen Fushë Topanë, një investim strategjik në infrastrukturën arsimore dhe sportive, me vlerë prej 1 milionë euro.
Mexhiti tha se pret që objekti të lëshohet në përdorim për nxënësit e shkollave fillore në muajin shtator, me qëllim që nxënësit ta kenë në dispozicion që nga fillimi i vitit shkollor, për mësim noti, gara, ushtrime fizike dhe rekreacion gjatë gjithë vitit.
“Ky projekt është pjesë e vizionit tonë për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Fëmijët tanë meritojnë hapësira moderne për zhvillim fizik e mendor,” u shpreh Mexhiti gjatë vizitës.
Pishina e Çairit ka një sipërfaqe prej 620 m² dhe thellësi që varion nga 80 cm deri në 1.30 metra, ndërsa është projektuar me strukturë moderne prej çeliku dhe themel betoni të armuar, duke plotësuar standardet më të larta të sigurisë dhe cilësisë.
Kjo pishinë shkollore është një tjetër dëshmi e përkushtimit për modernizimin e arsimit dhe rritjen e cilësisë së jetës për të rinjtë në Komunën e Çairit.



