“Sonte u bëmë bashkë në sofrën e iftarit, si mysafirë të Bashkësisë Fetare Islame”, ka shkruar kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti, në një postim në rrjetet sociale, duke ndarë momente nga iftari i organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut.
Sipas Mexhitit, iftari ishte i shtruar me thjeshtësi dhe respekt, ashtu siç e kërkon Ramazani, me hurma, ushqime tradicionale, lutje dhe një atmosferë që afron njerëzit me njëri-tjetrin.
Ai gjithashtu ka theksuar se në atë tryezë nuk kishte dallime, por vetëm miqësi, fjalë të mira dhe ndjenjë bashkimi.
Mexhiti shtoi se mes miqve dhe dashamirëve, lutjet e mbrëmjes morën një peshë tjetër, ndërsa falënderimi për Krijuesin ndihej thellë, pa pasur nevojë të thuhej me zë.
Në fund, Mexhiti uroi mirësi për secilin dhe lutje të pranuara gjatë këtij muaji të shenjtë.

