Zv/kryeministri dhe njëherësh ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mbrëmë pak para mesnatës vizitoi fshatin Straçincë, ku u takua me banorët që po protestonin kundër hapjes së gurrores në këtë zonë.
“Si ministër kam dhënë vendim negativ për kërkesën e hapjes së gurrores,” deklaroi Mexhiti para banorëve.
Ai theksoi se shqetësimet e komunitetit janë ndjekur me kujdes dhe se raportet e institucioneve kompetente kanë treguar qartë rreziqet serioze që do të sillte gurorja.
“Raportet dhe analizat treguan se aktiviteti i gurrores do të sillte pasoja të rënda, si rrezikun nga vërshimet dhe dëmtimin e shëndetit e jetesës së banorëve. Për këtë arsye, vendimi im është i prerë: Gurorja nuk do të hapet!” tha ai.
Mexhiti shtoi se hapi i radhës është anulimi përfundimtar i koncesionit, çështje që do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
“Ky vendim do ta mbyllë përfundimisht këtë çështje dhe do ta vendosë drejtësinë në anën e banorëve. Gjithmonë do të jem në anën e popullit, në anën e arsyes,” përfundoi ai.
Burimi: alfax.mk


