Komuna e Çairit në mbledhjen e katërt të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal, ka miratuar vendimi për shpalljen e ditës së hënë, 1 dhjetor 2025, si ditë zie në territorin e të gjithë komunës. Kështu ka informuar kryetari i komunës, Izet Mexhiti.
Sipas Mexhitit ky vendim vjen pas vdekjes së papritur të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, një artist i dashur për publikun dhe një zë i veçantë i skenës muzikore shqiptare, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë.
“Në shenjë respekti dhe nderimi, të martën, më 2 dhjetor 2025, në ora 13:00, në Teatrin Shqiptar në Shkup, do të organizohet mbledhje komemorative, ku qytetarët, miqtë dhe artdashësit do të kenë mundësinë të shprehin mirënjohjen dhe vlerësimin për veprën dhe kontributin e tij artistik”, ka shkruar më tej Mexhiti.
Ndërkohë, libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur në hollin e Teatrit Shqiptar nga e marta deri të premten, për t’u mundësuar të gjithë qytetarëve të lënë mesazhin e tyre të ngushëllimit.
Vendimi për shpalljen e ditës së zisë hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Komunës së Çairit.


