Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka dhënë sinjalin për fillimin e një prej aksioneve më të mëdha të pastrimit që ka parë ndonjëherë kryeqyteti. Me moton “Për një Shkup të pastër dhe të denjë”, ky aksion ka filluar mbrëmjen e sotme edhe në Çair dhe do të shtrihet në të gjitha komunat e tjera të Shkupit.
“Sonte Çairi dhe të gjitha komunat e tjera po pastrohen nga bërlloku i shkaktuar nga neglizhenca e paaftësia,” ka deklaruar Mexhiti, duke theksuar se kjo nismë shënon fillimin e një transformimi rrënjësor për qytetin.
Sipas Mexhitit, synimi është që brenda 72 orëve të ardhshme, Çairi dhe komunat tjera të Shkupit të marrin një pamje të re, më të pastër, më të rregullt dhe më moderne.
“Nuk do të ndalemi, sepse ky është vetëm hapi i parë drejt një transformimi që do të prek çdo lagje e rrugë të Çairit dhe Shkupit,” ka thënë më tej Mexhiti.
Sipas kryetarit Izet Mexhiti, ky aksion është dëshmi konkrete e menaxhimit të ri dhe efikas, duke i dhënë qytetit energjinë dhe dinamizmin që mungonte prej vitesh.


